Agon Fehmiu
01 Tetor 2015•Përditësim: 01 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit kosovar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe(EBA), sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, me të cilin kanë biseduar për organizimin një forumi të përbashkët ekonomik, njofton MPJ e Kosovës.
“Biseduam me Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan për organizimin një forumi të përbashkët ekonomik për tërheqjen e investimeve nga Emriatet e Bashkuara Arabe, i cili pritet të ndodhë në muajt në vijim,” ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi pas takimit dhe shtoi se, gjatë këtij takimi e ka falënderuar Sheikun Al Nahyan për mbështetjen që EBA po e japin për konsolidimin e mëtejmë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshirë edhe përkrahjen për anëtarësimin në organizatat botërore.
Nga ana e tij, sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në të gjitha fushat dhe siguroi se vendi i tij do ta mbështes fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO.