TikTok do të çaktivizohet për qasje në SHBA, përdoruesit amerikan të platformës drejtohen në RedNote
TikTok nesër mund të mbyllë shërbimet e tij, por më vonë mund të rifillojë funksionimin nëse Trump jep garanci se kompania nuk do të përballet me ndëshkime për shkeljen e ndalimit
Istanbul
Rrjeti social i videove TikTok ka bërë të ditur se duke filluar nga nesër do të çaktivizojë qasjen në aplikacionin e tij të për më shumë se 170 milionë amerikanë, nëse administrata e presidentit Joe Biden nuk merr masa për të siguruar që kompania nuk do të përballet me ndëshkime për shkeljen e ndalimit, transmeton Anadolu.
Kjo erdhi pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së dje miratoi ndalimin e diskutueshëm të aplikacionit.
Legjislacioni, i nënshkruar nga presidenti Biden në muajin prill me mbështetje të fortë dypartiake në Kongres, mandaton që TikTok deri nesër t'u shesë operacionet e tij në SHBA blerësve amerikanë për të shmangur ndalimin.
Megjithatë, administrata e presidentit Biden tregoi se zbatimi i ndalimit do t’i lihet presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili do të inaugurohet të hënën.
TikTok tha se përgjija nga administrata aktuale amerikane është e pamjaftueshme, pasi këto deklarata “nuk kanë arritur të ofrojnë qartësinë dhe sigurinë e nevojshme për ofruesit e shërbimeve për ruajtjen e disponueshmërisë së TikTok-ut për mbi 170 milionë amerikanë”.
“Nëse administrata e presidentit Biden nuk jep menjëherë një deklaratë përfundimtare për të kënaqur ofruesit më kritik të shërbimeve duke siguruar mos zbatimin, fatkeqësisht TikTok-u do të detyrohet të ndalet më 19 janar”, tha TikTok.
Duke mos e konfirmuar në mënyrë eksplicite, Trump ka aluduar se nuk do ta zbatojë ndalimin. Ai kërkoi nga Gjykata e Lartë të shtyjë ndalimin për t’i dhënë kohë administratës së tij të ardhshme për të negociuar një marrëveshje për shitjen e TikTok-ut te blerësit amerikanë.
Megjithatë, Gjykata e Lartë refuzoi një apel nga pronarët e aplikacionit, të cilët argumentuan se ndalimi shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-së duke lejuar në mënyrë efektive ndalimin të vazhdojë.
Si rezultat, TikTok nesër mund të mbyllë shërbimet e tij, por më vonë mund të rifillojë funksionimin nëse Trump jep garanci se kompania nuk do të përballet me ndëshkime për shkeljen e ndalimit.
- Përdoruesit amerikan të TikTok-ut drejtohen në RedNote mes frikës së ndalimit
Ndalimi i TikTok-ut në SHBA, tashmë i vendosur për nesër, 19 janar, ka çuar shumë përdorues amerikanë në platformën kineze RedNote, e njohur gjithashtu si Xiaohongshu.
Që nga e hëna e kaluar, RedNote është bërë aplikacioni më i shkarkuar në SHBA, duke krijuar sfida për platformën teksa përpiqet të balancojë politikat strikte të moderimit të përmbajtjes së Kinës, duke ofruar një përvojë pozitive për përdoruesit që nuk flasin gjuhën kineze.
Disa përdorues kanë shprehur zhgënjim me politikat e censurës së RedNote, të cilat shkojnë përtej kufizimeve të zakonshme për përmbajtjen e dhunshme, gjuhën e urrejtjes dhe pornografinë për të përfshirë lloje të tjera postimesh.
Një përdorues amerikan raportoi se një postim që pyeti nëse RedNote mirëpret homoseksualët u fshi brenda disa orësh. Më vonë, kur përdoruesi njoftoi planet për t'u larguar nga platforma, ai u ndesh me vërejtje homofobike dhe akuza për imponim ndaj kulturës.
Në mënyrë të ngjashme, një përdorues mashkull kritikoi platformën për censurimin e një fotoje të pjesës së sipërme të trupit të tij, duke pyetur, “Pse nuk më lejohet të postoj foto të fitnesit dhe të barkut tim?”
Në një konferencë për media zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Kinës, Guo Jiakun, u pyet lidhur me censurën në RedNote.
"Ne besojmë se pavarësisht se çfarë platformash përdorni, është një zgjedhje personale dhe ne inkurajojmë dhe mbështesim shkëmbimet njerëz me njerëz", tha ai.
Interneti në Kinë prej kohësh ka qenë i njohur për censurimin e termave dhe temave që konsiderohen të ndjeshme politikisht ose shoqërisht.
Në vitin 2024, Weibo njoftoi përpjekjet për të hequr "përmbajtjet e padëshirueshme të orientuara nga vlera", të tilla si postimet që "shfaqin pasurinë dhe adhurojnë paratë".
Në vitin 2021, Weibo u gjobit me 14.3 milionë juanë (2.2 milionë dollarë) për mbajtjen e postimeve të ndjeshme politike, dezinformatave dhe materialeve të tjera të ndaluara.