Bota

Toka e përjetoi verën më të nxehtë ndonjëherë në vitin 2024

Vera e vitit 2024 u bë edhe "vera më e nxehtë" për Evropën, duke tejkaluar me 1,54 gradë mesataren e viteve 1991-2020

Selen Valente Rasquinho  | 06.09.2024 - Përdıtësım : 07.09.2024
Toka e përjetoi verën më të nxehtë ndonjëherë në vitin 2024

Bruksel

Sistemi i monitorimit satelitor "Copernicus" i Bashkimit Evropian (BE), njoftoi se vera e vitit 2024 u regjistrua si "vera më e nxehtë" në mbarë botën, transmeton Anadolu.

Në njoftimin e bërë nga "Copernicus", thuhet se gushti i vitit 2024, u bë gushti më i ngrohtë globalisht, duke u arritur 0,71 gradë mbi mesataren e periudhës 1991-2020 që merret si referencë.

Ndërkaq, temperatura e matur në mbarë rruzullin tokësor për periudhën qershor-gusht 2024 tejkaloi mesataren e viteve 1991-2020 me 0,69 gradë dhe rekordin e periudhës qershor-gusht 2023 me 0,66 gradë.

Kështu, kjo verë, u përshkrua si "vera më e nxehtë" në shkallë globale.

Vera e vitit 2024 u bë edhe "vera më e nxehtë" për Evropën, duke tejkaluar me 1,54 gradë mesataren e viteve 1991-2020 dhe me 1,34 gradë rekordin e mëparshëm të vitit 2022.

- Evropa dhe rajonet tjera

Temperaturat në Evropë këtë verë ishin mbi mesataren në jug dhe lindje, por nën mesatare në Irlandë dhe në veriperëndim të Anglisë, në Islandë, bregun perëndimor të Portugalisë dhe Norvegjinë jugore.

Jashtë Evropës, temperaturat u regjistruan mbi mesataren në lindjen e Antarktikës, Texas, Meksikë, Kanadë, verilindjen e Afrikës, Iran, Kinë, Japoni dhe Australi.

Temperaturat u regjistruan nën mesataren në Rusinë lindore dhe Alaskë, lindje të SHBA-së, Amerikën Jugore, Pakistan dhe rajonin Sahel.

Vera e vitit 2024 ishte më e lagësht se mesatarja në perëndim dhe veri të Evropës, ndërsa pjesa më e madhe e rajonit të Mesdheut dhe Evropës Lindore panë kushte më të thata se mesatarja gjatë gjithë sezonit.

- "Do të ketë pasoja më shkatërruese"

"Në tre muajt e fundit, bota ka përjetuar qershorin dhe gushtin më të nxehtë, ditën më të nxehtë të regjistruar dhe verën më të nxehtë të regjistruar deri më tani. Ky varg temperaturash rekord rrit gjasat që viti 2024 të jetë viti më i nxehtë i regjistruar. Nëse nuk marrim masa urgjente për të reduktuar emetimet e gazrave serrë, ngjarjet ekstreme të lidhura me nxehtësinë që kemi dëshmuar këtë verë do të kenë pasoja më shkatërruese për njerëzit dhe planetin", tha zëvendësdrejtorja e shërbimit të BE-së për ndryshimet klimatike Copernicus, Samantha Burgess, sipas raportit.

Raporti i "Copernicus" vuri në dukje gjithashtu se mundësia që viti 2024 të jetë "viti më i nxehtë" i regjistruar është në rritje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın