Tre shtetas bullgarë në Britani shpallen fajtorë për spiunazh për Rusinë
Shefi i policisë ka thënë se pajisjet e përdorura nga spiunët “janë diçka që shihen në romane spiunazhi”

Londër
Tre shtetas bullgarë me bazë në Londër, të arrestuar vitin e kaluar, janë shpallur fajtorë për spiunazh për Rusinë, transmeton Anadolu.
Katrin Ivanova, 33 vjeçe, Vanya Gaberova, 30 vjeçe, dhe Tihomir Ivanchev, 39 vjeç, kanë qenë të përfshirë në një grup bullgarësh që kanë spiunuar nga viti 2020 deri në vitin 2023.
Ata u arrestuan në shkurt 2024 sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare nga detektivët kundër terrorizmit të Policisë Metropolitane dhe akuzoheshin për komplot për të kryer spiunazh.
Ivanova është akuzuar gjithashtu për posedim të dokumenteve të identitetit me “qëllim të pahijshëm”.
BBC raportoi se celula e spiunazhit ka zhvilluar mbikëqyrje të hollësishme ndaj njerëzve dhe vendeve të shënjestruara nga Rusia, duke përfshirë gazetarë investigativë dhe një bazë ushtarake amerikane në Gjermani, me anëtarë që kanë kaluar Evropën nga baza e tyre në Britani.
Dominic Murphy, shefi kundërterrorizmit i Policisë Metropolitane, ka thënë se pajisjet e përdorura nga spiunët “janë diçka që shihen në romane spiunazhi”.
Bullgarë të tjerë, Orlin Roussev, 47 vjeç, nga Great Yarmouth, dhe Biser Dzhambazov, 43 vjeç, nga Londra, kishin pranuar më parë komplot për të spiunuar, ndërsa i pandehuri i gjashtë, Ivan Stoyanov, 34 vejç, gjithashtu ka pranuar përpara gjyqit se ka spiunuar.
Sipas raportimit, hetimi i policisë ka përfshirë 221 telefona celularë, 495 karta sim, 11 dronë dhe pajisje që mundësojnë nxjerrjen e të dhënave nga telefonat dhe përgjimin e aktivitetit Wi-Fi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.