Tregjet lundruese të Vietnamit, atraksion unik për turistët
Duke u ofruar turistëve mundësinë për të blerë fruta dhe perime ekzotike, kafe lokale ose ushqime vietnameze të përgatitura në varka, këto tregje lundruese fillojnë punën shumë herët në mëngjes dhe qëndrojnë të hapur deri në perëndim të diellit

Can Tho
Tregjet lundruese në Mekong Delta të Vietnamit janë bërë mënyrë jetese për vendasit duke shitur mallrat e tyre, por ato janë bërë gjithashtu një aktivitet argëtues për turistët që vizitojnë zonën, raporton Anadolu.
Duke u ofruar turistëve mundësinë për të blerë fruta dhe perime ekzotike, kafe lokale ose ushqime vietnameze të përgatitura në varka, këto tregje lundruese fillojnë të punojnë shumë herët në mëngjes dhe qëndrojnë të hapur deri në perëndim të diellit.
Tregjet lundruese janë tregje ku mallrat shiten nga varkat. Me origjinë në kohë dhe vende ku transporti ujor ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën e përditshme, shumica e tregjeve lundruese që funksionojnë sot shërbejnë kryesisht si atraksione turistike dhe ndodhen kryesisht në Mianmar, Tajlandë, Indonezi, Vietnam, Sri Lanka, Bangladesh dhe Indi.
Tregjet lundruese kanë ekzistuar në Vietnam për shumë breza. Arkeologët kanë gjetur prova se rrjete të gjera tregtare ka të ngjarë të ekzistonin në deltat e lumenjve të Vietnamit që nga 4.500 vjet më parë.
Me një sistem të pasur lumenjsh, Mekong Delta është vendi ku zhvillohen shumë tregje javore lundruese. Kjo është një mundësi për tregtarët e vegjël që të shkëmbejnë mallra ndërsa turistët mund të përjetojnë atmosferën unike me vendasit. Disa nga tregjet e famshme lundruese në këtë zonë janë Cai Rang Market, Long Xuyen Market, Cai Be Market etj.