Barry Ellsworth
19 Shtator 2023•Përditësim: 20 Shtator 2023
Ka "pretendime të besueshme" se Qeveria e Indisë qëndron pas vrasjes së liderit Sikh Hardeep Singh Nijjar në Surrey, British Columbia (B.C.) të Kanadasë tha të hënën kryeministri kanadez Justin Trudeau, raporton Anadolu.
Nijjar, një udhëheqës sikh në provincën perëndimore kanadeze të B.C., u qëllua për vdekje më 18 qershor përpara një tempulli sikh në qytetin Surrey. Deri më tani nuk asnjë të arrestuar.
"Gjatë javëve të fundit, agjencitë kanadeze të sigurisë kanë hetuar në mënyrë aktive akuza të besueshme për lidhje të mundshme midis agjentëve të Qeverisë së Indisë dhe vrasjes së shtetasit kanadez Hardeep Singh Nijjar", deklaroi Trudeau, duke iu drejtuar Dhomës së Komunave pasi ai bisedoi me liderët e partive politike opozitare.
Nijjar, shtetas kanadez, ishte mbështetës i zëshëm i pavarësisë për shtetin Khalistani në rajonin Punjab. Qeveria indiane këmbëngul dhe përsërit se Nijjar ishte terrorist, emërtim që mbështetësit e tij e mohuan dhe në samitin e fundit të G20 në New Delhi, kryeministri Narendra Modi qortoi Trudeau-n për lejimin e protestave separatiste Sikh në Kanada.
Trudeau i tha Modit se në Kanada lejohen protestat paqësore demokratike. Të hënën, kryeministri drejtoi fjalë të ashpra ndaj qeverisë indiane.
"Çdo përfshirje e një qeverie të huaj në vrasjen e një qytetari kanadez në tokën kanadeze është shkelje e papranueshme e sovranitetit tonë. Është në kundërshtim me rregullat themelore me të cilat veprojnë shoqëritë e lira, të hapura dhe demokratike", tha Trudeau.
"Siç mund ta prisnit, ne kemi punuar ngushtë dhe jemi koordinuar me aleatët tanë për këtë çështje shumë serioze", tha Trudeau i cili i bëri thirrje Indisë që të marrë pjesë në hetim për të "ndriçuar çështjen".
Ministrja e Punëve të Jashtme, Melanie Joly tha se Kanadaja dëboi një "diplomat të lartë indian" dhe se vendi i saj pret që bashkëpunimi i plotë i Indisë "të shkojë deri në fund të kësaj çështje".
Sipas raporteve, diplomati ishte Pavan Kumar Rai, kreu kanadez i krahut të kërkimit dhe analizës në New Delhi, agjencia e inteligjencës së jashtme indiane. Marrëdhëniet me Indinë tashmë janë tensionuar deri në atë pikë sa dy javë më parë, qeveria kanadeze shtyu një mision tregtar në Indi të planifikuar për 9 tetor.
Nuk ka patur asnjë reagim nga India deri më sot.