Michael Hernandez
26 shtator 2019•Përditësim: 26 shtator 2019
Zyrtarë të lartë të qeverisë iraniane dhe venezueliane, si dhe familjet e tyre nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA, sipas një serie të shpalljeve që presidenti amerikan, Donald Trump, i nënshkroi të mërkurën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ky është hapi i fundit penalizues ndaj Teheranit dhe Karakasit nga administrata Trump, ndërsa kërkon që të rritet presioni diplomatik dhe ekonomik ndaj këtyre qeverive.
Urdhrat në fjalë bëjnë përjashtime për detyrimet e SHBA-së sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat duket se lejojnë zyrtarët që përfaqësojnë vendet të udhëtojnë në selinë e OKB-së në New York për të përmbushur detyrat e tyre në këtë institucion botëror.
Trump fillimisht tha se ai nënshkroi shpalljet ndërsa fliste gjatë konferencës së tij të fundit për media në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe Shtëpia e Bardhë shpërndau kopjet menjëherë pas përfundimit të saj.
Ndalimi i zyrtarëve të qeverisë së Venezuelës përfshin të gjithë individët që mbajnë pozitën e zv/ministrit dhe ato me gradat më të larta si dhe oficerët e ushtrisë, policisë ose Gardës Kombëtare të Venezuelës në rangun e kolonelit ose më të lartë dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës.
Ajo gjithashtu përfshin individët "të cilët marrin përfitime të konsiderueshme financiare nga transaksionet ose marrëveshjet e biznesit" dhe "të huajt e tjerë që veprojnë në emër ose në mbështetje të përpjekjeve të regjimit Maduro për të minuar ose dëmtuar institucionet demokratike të Venezuelës", duke i dhënë liri të plotë zbatimit.
Por, urdhri ndaj Iranit është i paqartë, që ka të bëjë thjesht me "zyrtarë të lartë të qeverisë së Iranit".
Asnjë urdhër nuk vlen për individë që janë shtetas të SHBA-së dhe gjithashtu mbajnë ndonjë nga këto pozita.