Rabia İclal Turan
23 korrik 2026•Përditësim: 23 korrik 2026
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se kompanitë e inteligjencës artificiale duhet të mbulojnë koston e ndërtimit të infrastrukturës energjetike të nevojshme për qendrat e reja të të dhënave, transmeton Anadolu.
Ai u bëri thirrje komuniteteve lokale t’i mbështesin këto projekte, duke i cilësuar si thelbësore për ruajtjen e lidershipit teknologjik të SHBA-së.
Duke folur në selinë e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) në Washington, Trump tha se më shumë se 220 kompani të shërbimeve publike, kompani teknologjike dhe qeveri shtetërore kanë nënshkruar një zotim për mbrojtjen e konsumatorëve që nga prezantimi i tij në fillim të këtij viti, ndërsa tarifat e energjisë elektrike për 80 për qind të energjisë së shpërndarë në SHBA tashmë mbulohen nga ky plan.
“Këto kompani po shpenzojnë shuma të jashtëzakonshme parash për komunitetet lokale”, tha Trump.
Ai pretendoi se vende të huaja po përpiqen të ngadalësojnë zgjerimin e infrastrukturës amerikane të inteligjencës artificiale përmes “propagandës” dhe fushatave të marrëdhënieve me publikun, me qëllim dekurajimin e mbështetjes lokale për qendrat e të dhënave.
“Nëse nuk e bëjmë këtë, do të mbetemi prapa. Duhet t’i bindni komunitetet tuaja se sa të mira janë këto projekte. Nuk mund t’i luftoni. Duhet t’i përqafoni”, tha Trump.
Trump i përshkroi komunitetet që mirëpresin qendrat e të dhënave si “komunitete të zgjuara”, duke theksuar se këto objekte sjellin “një numër të jashtëzakonshëm vendesh pune me shumë pak ndikim real në jetën e përditshme”.