Trump përfundoi papritmas takimin në Shtëpinë e Bardhë me Zelenskyy-n pas zënkës verbale
"Unë nuk dua avantazhe, dua PAQE. Ai nuk respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe", u shpreh Trump në një postim në rrjetet sociale

Washington
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u përfshi në një fjalosje me presidentin amerikan Donald Trump dhe zv. presidentin JD Vance, teksa e ardhmja e një marrëveshjeje për të drejtat e mineraleve u diskutua gjatë takimit kritik në Shtëpinë e Bardhë, raporton Anadolu.
Shkëmbimi i fjalëve filloi pasi Zelenskyy pyeti nëse mund t'i përgjigjej Vance-it i cili kërkoi të mbronte angazhimin e Trumpit me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë: "Ajo që e bën Amerikën një vend të mirë është Amerika që angazhohet në diplomaci. Kjo është ajo që bën Presidenti Trump".
"Gjatë vitit 2015 askush nuk e ndaloi atë. Ai thjesht pushtoi edhe atëherë. Ai vrau njerëz. E dini", tha Zelenskyy për Putinin, duke e shtyrë Trumpin të thoshte: "Unë nuk isha këtu".
Zelenskyy më tej tha se edhe në vitin 2019 është nënshkruar marrëveshje me Putinin, për të cilën tha se nuk është respektuar, duke shtuar: "Për çfarë lloj diplomacie, ju po flisni?".
"Zoti President, me respekt. Unë mendoj se është mungesë respekti për ju që të vini në Zyrën Ovale për të provuar ta diskutoni këtë para mediave amerikane", u përgjigj Vance, duke thënë se "pikërisht tani ju po shkoni dhe i detyroni rekrutët në vijën e parë të frontit sepse keni probleme me fuqinë punëtore".
“Ju duhet të falënderoni presidentin për përpjekjen për t'i dhënë fund këtij konflikti,” shtoi Vance.
Më pas u raportua se presidenti amerikan Donald Trump përfundoi papritur takimin me Volodymyr Zelenskyy-n.
"Unë nuk dua avantazhe, dua PAQE. Ai nuk respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe", u shpreh Trump në një postim në rrjetet sociale.
Gjithashtu, mediat amerikane njoftuan se Trump i kishte kërkuar Zelenskyy-t të largohej.
Para takimit, Trump tha se Zelenskyy "me siguri" do të duhet të bëjë kompromise në marrëveshjen për paqe me Rusinë, "por shpresojmë se ato nuk do të jenë aq të mëdha sa mendojnë disa njerëz".
Ndërkohë, gjithashtu para takimit, Zelenskyy tha se marrëveshja për mineralet kritike me SHBA-në "nuk do të jetë e mjaftueshme" për të ndaluar luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.