Bota

Trump zotohet për ri-klasifikimin e punonjësve federal dhe pushimin nga puna të atyre që nuk ndjekin agjendën e tij

Ndryshimi do të prekë afër 50 mijë punonjës ose 2 për qind të fuqisë punëtore federale dhe do të përmbysë mbrojtjen e periudhës së ish-presidentit Biden

Gizem Nisa Çebi  | 19.04.2025 - Përdıtësım : 19.04.2025
Trump zotohet për ri-klasifikimin e punonjësve federal dhe pushimin nga puna të atyre që nuk ndjekin agjendën e tij Foto: AA/Arkiv

Istanbul

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar planet e tij për të ri-klasifikuar dhjetëra mijëra punonjës federal si “punonjës sipas nevojës” nën një kategori të re, respektivisht në kategorinë “politika e programit/karriera”, që do t’i lejojë agjencitë të pushojnë nëpunësit civilë që nuk përputhen me agjendën etij politike, transmeton Anadolu.

“Pas urdhrit tim ekzekutiv të Ditës së Parë, Zyra e Menaxhimit të Personelit do të nxjerrë rregullore të reja të Shërbimit Civil për punonjësit e karrierës në qeveri”, njoftoi Trump në platformën Truth Social.

"Punonjësit e karrierës në qeveri, që punojnë në çështjet e politikave, do të klasifikohen si 'politika e programit/karriera’ dhe do të mbahen sipas standardeve më të larta të sjelljes dhe performancës”, shkroi Trump.

Kjo lëvizje ringjall dhe zgjeron iniciativën e mëparshme të Trumpit “Programi F” (Schedule F), duke vënë në shënjestër heqjen e mbrojtjes së shërbimit civil nga rolet e lidhura me politikat.

Një njoftim i Shtëpisë së Bardhë tha se ndryshimi do të prekë afër 50 mijë punonjës ose 2 për qind të fuqisë punëtore federale dhe do të përmbysë mbrojtjen e periudhës së ish-presidentit Joe Biden.

Rregulli i ri do t’i lejojë agjencitë të pushojnë punonjësit “pa qasje në procedurat e rënda të veprimit negativ ose apelime”, duke i vënë në shënjestër ata me “detyra përcaktuese të politikave, politikbërjes, mbrojtjes së politikave ose detyrave konfidenciale”.

"Nëse këta punonjës të qeverisë refuzojnë të avancojnë interesat e politikave të presidentit ose po angazhohen në sjellje korruptive, ata nuk duhet të kenë më një punë. Kjo është arsyeja e shëndoshë dhe do të lejojë që qeveria federale të drejtohet më në fund si një biznes", tha Trump.

Derisa politika nuk do të hyjë në fuqi menjëherë, administrata amerikane tha se ri-klasifikimi do të kërkojë një urdhër ekzekutiv pasues. Punonjësit nuk do të kenë nevojë të mbështesin personalisht presidentin, por sipas Shtëpisë së Bardhë, ata "duhet të zbatojnë me besnikëri ligjin dhe politikat e administratës".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.