Bota

Trupi i aktivistes turko-amerikane të vrarë nga Izraeli mbërrin në Türkiye

Misionet diplomatike turke në Tel Aviv dhe Kuds koordinuan transferimin e trupit të aktivistes nga Tel Avivi në Baku para udhëtimit përfundimtar për në Türkiye

Gökhan Yılmaz  | 13.09.2024 - Përdıtësım : 13.09.2024
Trupi i aktivistes turko-amerikane të vrarë nga Izraeli mbërrin në Türkiye Foto: İsa Terli/AA

Istanbul

Trupi i aktivistes turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi, të vrarë nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar javën e kaluar, ka mbërritur në Istanbul nëpërmjet Azerbajxhanit, raporton Anadolu.

Një aeroplan i "Turkish Airlines" solli trupin e aktivistes turko-amerikane në Aeroportin e Istanbulit, ku u mbajt një ceremoni.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Türkiyes në Istanbul, ambasadorja Ayşe Sözen Usluer, si dhe zyrtarë të tjerë turq, morën pjesë në ceremoninë e pritjes së trupit.

Trupi i Eygit, i mbështjellë me flamurin turk, u prit nga një skuadër ushtarake në aeroport.

Pas ceremonisë, trupi i saj u dërgua për varrim në qytetin Aydın në Türkiyen jugperëndimore.

26-vjeçarja Eygi u vra më 6 shtator gjatë një proteste paqësore kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite pranë Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Misionet diplomatike turke në Tel Aviv dhe Kuds koordinuan transferimin e trupit të aktivistes nga Tel Avivi në Baku para udhëtimit përfundimtar për në Türkiye.

Dje, Türkiye gjithashtu nisi hetimet për vrasjen sipas ligjit të brendshëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.