Turqia, Bota

Türkiye dënon vrasjen e aktivistes turko-amerikane nga ushtria izraelite në pjesën veriore të Bregut Perëndimor

Aktivistja turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi u qëllua për vdekje nga forcat izraelite të premten gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në qytetin Beita

Muhammed Enes Çallı  | 06.09.2024 - Përdıtësım : 07.09.2024
Türkiye dënon vrasjen e aktivistes turko-amerikane nga ushtria izraelite në pjesën veriore të Bregut Perëndimor

Istanbul

Türkiye dënoi vrasjen e një aktiviste turko-amerikane nga ushtria izraelite në pjesën veriore të Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.

“Me dhimbje të thellë mësuam për vrasjen e shtetases sonë Ayşenur Ezgi Eygi nga ushtarët okupues izraelitë në Nablus, Bregu Perëndimor”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë, duke shprehur ngushëllimet e saj për të afërmit.

Aktivistja turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi u qëllua për vdekje nga forcat izraelite të premten gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në qytetin Beita në distriktin Nablus të Bregut Perëndimor të pushtuar.

“Ne e dënojmë këtë vrasje të kryer nga qeveria e Netanyahu-t”, thuhet në deklaratën e MPJ-së turke, ku shtohet:

"Izraeli po përpiqet të frikësojë ata që u vijnë në ndihmë palestinezëve dhe ata që janë të përfshirë në përpjekjet paqësore kundër gjenocidit. Kjo politikë e dhunës nuk do të ketë sukses”.

Ministria shtoi se autoritetet izraelite dhe ata që e mbështesin pa asnjë kusht "në mënyrë të pashmangshme" do të mbahen përgjegjës përpara gjykatave ndërkombëtare.

Fouad Nafaa, drejtor i Spitalit Rafidia, tha për Anadolu se Ayşenur Ezgi Eygi, që kishte një shtetësi të dyfishtë të Türkiyes dhe SHBA-së, mbërriti në spital me një plagë me armë zjarri në kokë.

Sipas drejtorit Nafaa, Eygi, e cila lindi në qytetin turk të Antalya në vitin 1998, iu nënshtrua plagëve të marra pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore.

Dëshmitarët okularë raportuan se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një grupi palestinezësh që merrnin pjesë në një demonstratë që dënonte vendbanimet ilegale në malin Sbeih në Beita, në jug të Nablusit.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa konfirmoi se viktima ishte një shtetase amerikane dhe një vullnetare e fushatës “Fazaa”, një iniciativë që synon mbështetjen dhe mbrojtjen e fermerëve palestinezë nga shkeljet e vazhdueshme nga kolonët dhe ushtria ilegale izraelite.

Banorët në Beita mbajnë protesta javore pas namazit të xhumasë për të kundërshtuar vendbanimin ilegal izraelit Avitar, i cili është krijuar në majën e malit Sbeih. Komuniteti kërkon heqjen e vendbanimit të paligjshëm, të cilin ata e shohin si shkelje të të drejtave të tyre mbi tokën.

Tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar teksa Izraeli vazhdon sulmin e tij në Rripin e Gazës, ku ka vrarë rreth 40.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Përpos kësaj, që atëherë të paktën 691 njerëz janë vrarë dhe mbi 5.700 janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.