Tuğçenur Akgün
15 Mars 2023•Përditësim: 15 Mars 2023
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan dhe zëdhënësi i Presidencës së Türkiye-s, Ibrahim Kalın krahas marrëdhënieve dypalëshe diskutuan për çështjet rajonale dhe globale, transmeton Anadolu.
Shtëpia e Bardhë bëri një deklaratë me shkrim lidhur me takimin që Sullivan dhe Kalın zhvilluan më 14 mars në Washington.
Sullivan në takim përsëriti mesazhin e tij ngushëllues për tërmetet në Türkiye. Ai tha se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për popullin e Türkiye-s në këtë proces.
Më tej në deklaratë thuhet se krahas përpjekjeve të Türkiye-s për të rinovuar Iniciativën e Dërgimit të Drithit në Detin e Zi dhe sulmet e Rusisë që vazhdojnë në Ukrainë, palët diskutuan për çështjet rajonale dhe globale.
Palët diskutuan gjithashtu edhe për bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes dhe mbështetjen që kanë dhënë ndaj negociatave që vazhdojnë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, thuhet në deklaratë.
Sullivan ka potencuar pikëpamjen e SHBA-së për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Takimi Kalın-Nuland
Zëvendës sekretarja e Shtetit të SHBA-së për çështjet politike, Victoria Nuland ka bërë një postim në Twitter lidhur me takimin e saj sot me zëdhënësin Kalın.
Ajo në takimin me Kalın shprehu ngushëllimet për të prekurit nga tërmeti ndërsa theksoi mbështetjen që SHBA-ja ka dhënë për Türkiye-n në këtë proces. Nuland tha se krahas anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO kanë diskutuar për bashkëpunimin dypalësh dhe atë rajonal.