Türkiye do të presë 15 palestinezë të dëbuar nga Palestina
Në kuadër të kësaj janë kryer rregullimet e nevojshme që palestinezët në fjalë të krijojnë një jetë të qetë dhe të sigurt në Türkiye
Ankara
Të paktën 15 palestinezë që u dëbuan nga vendi i tyre sipas marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit do të pranohen nga Türkiye, raporton Anadolu.
Sipas informacioneve të marra nga burimet e sigurisë, rreth 50 mijë palestinezë u vranë dhe mbi 100 mijë të tjerë u plagosën në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës nga 7 tetori 2023 deri më 13 janar 2025.
Krahas mijëra palestinezëve që mbahen prej vitesh në burgjet e Izraelit, edhe nga Gaza janë arrestuar 15 mijë persona me arsye të ndryshme.
Në këmbim të pengjeve që do të lirohen në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, thuhet se sipas një pike në marrëveshje do të lirohen nga Izraeli një numër i caktuar i të burgosurve dhe të dënuarve.
Për një pjesë të të burgosurve që janë të dënuar me burgim të përjetshëm nga Izraeli u vendos kushti që ata të largohen nga Palestina dhe të mos ktheheshin më pas lirimit të tyre.
Në përputhje me udhëzimet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për të mbështetur marrëveshjen e armëpushimit, disa vende të tjera dhe Türkiye do të presin disa prej këtyre palestinezëve që janë lënë të detyruar të jetojnë larg vendit të tyre pas lirimit nga burgu.
Pas kësaj, Agjencia Kombëtare e Inteligjencës turke (MIT) ndërmori veprime dhe u përpoq fillimisht të mundësonte ardhjen në Türkiye nëpërmjet Egjiptit të 15 palestinezëve të dëbuar nga vendi i tyre.
Në kuadër të kësaj janë kryer rregullimet e nevojshme që palestinezët në fjalë të krijojnë një jetë të qetë dhe të sigurt në Türkiye.
Burimet e sigurisë thanë se misioni për të mbështetur popullin palestinez do të vazhdojë me vendosmëri në kuadër të vizionit të presidentit Erdoğan për paqen dhe përgjegjësinë humanitare.