Türkiye dënon shkatërrimin e Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze në Gaza
“Vënia e qëllimshme në shënjestër e një spitali që ofron shërbime të kujdesit shëndetësor për civilët në Gaza është pjesë e politikës së Izraelit për ta bërë Gazën të pabanueshme...”, tha ministria turke

Ankara
Türkiye ka dënuar ashpër shkatërrimin e Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze në Gaza, i cili u ndërtua nga Türkiye dhe operohej nga autoritetet lokale si qendër e trajtimit të kancerit, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiye tha se dënojnë shkatërrimin e Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze nga Izraeli, duke e përshkruar sulmin si pjesë e një politike më të gjerë që synon ta bëjë Gazën të pabanueshme.
“Vënia e qëllimshme në shënjestër e një spitali që ofron shërbime të kujdesit shëndetësor për civilët në Gaza është pjesë e politikës së Izraelit për ta bërë Gazën të pabanueshme dhe për ta detyruar popullin palestinez të zhvendoset”, tha ministria turke.
Ministria i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë masa konkrete dhe parandaluese kundër veprimeve të Izraelit.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa të prerë dhe efektive kundër sulmeve të paligjshme të Izraelit dhe terrorizmit sistematik shtetëror”, tha ministria.
Në reagimin e ministrisë gjithashtu u konsideruan udhëheqësit izraelitë përgjegjës për mizoritë e vazhdueshme në Palestinë.
“Të gjitha ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Palestinë, veçanërisht Netanyahu, herët apo vonë do të mbahen përgjegjës përpara ligjit ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Pothuajse 50 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 112 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.