Türkiye reagon për sulmet e Izraelit ndaj Gazës
"Masakra izraelite e qindra palestinezëve në sulmet në Gaza mëngjesin e sotëm tregoi se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka hyrë në një fazë të re në politikën gjenocidale"

Ankara
Ministria turke e Punëve të Jashtme ka lëshuar një deklaratë me shkrim në lidhje me sulmet e nisura nga Izraeli në Rripin e Gazës mëngjesin e sotëm duke e prishur armëpushimin, transmeton Anadolu.
Në deklaratë thuhet se masakra izraelite e qindra palestinezëve në sulmet në Gaza mëngjesin e sotëm tregoi se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka hyrë në një fazë të re në politikën gjenocidale.
"Izraeli sfidon njerëzimin duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe vlerat universale në mënyrën më të rëndë. Në një periudhë kur kërkimi për paqe dhe stabilitet në nivel global po intensifikohet, ky qëndrim agresiv i shfaqur nga qeveria izraelite kërcënon të ardhmen e përbashkët të rajonit. Është e papranueshme që Izraeli të shkaktojë një spirale të re dhune", thuhet në njoftim.
Ministria më tej theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të mbajë një qëndrim të vendosur kundër Izraelit në mënyrë që të sigurojë një armëpushim të përhershëm në Gaza dhe të ofrohet ndihma humanitare.
"Türkiye thekson edhe një herë se do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit palestinez në kauzën e tij të drejtë dhe se do të mbështesë përpjekjet për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon", thekson ministria.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e Qeverisë në Gaza thuhet se numri i personave të vrarë dhe të zhdukur nën rrënoja në sulmin që Izraeli kreu në Rripin e Gazës mëngjesin e sotëm duke e shkelur armëpushimin është 326 dhe se janë plagosur dhjetëra të tjerë.
Thuhet se ushtria izraelite ka bombarduar intensivisht Rripin e Gazës, përfshirë tendat e palestinezëve të zhvendosur, shkollat ku ata janë strehuar dhe shtëpitë e civilëve.
Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet kanë filluar me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz.