Türkiye, urdhra arresti për kryebashkiakun e Istanbulit dhe 99 të tjerë me akuza korrupsioni dhe terrorizmi
Pas urdhrave të arrestit, gjithsej 84 të dyshuar janë arrestuar nga forcat e sigurisë si pjesë e dy hetimeve të veçanta për terrorizëm, korrupsion dhe krim të organizuar në bashki

Istanbul
Zyra e Kryeprokurorit Publik të Istanbulit lëshoi sot urdhër arresti për kryebashkiakun e Istanbulit Ekrem Imamoğlu dhe 99 të tjerë me akuza për korrupsion, ryshfet dhe vepra të lidhura me terrorizmin, thonë autoritetet, transmeton Anadolu.
Prokurorët e Istanbulit thanë se hetimi, i nisur pas dëshmive të dëshmitarëve dhe raporteve të krimit financiar, e akuzon Imamoğlun për drejtimin e një organizate kriminale të përfshirë në mashtrime sistematike, manipulime të ofertave, përvetësim dhe ryshfet.
Prokurorët pohojnë se Imamoğlu ka emëruar bashkëpunëtorë të ngushtë nga mandati i tij i mëparshëm si kryebashkiak i rrethit Beylikdüzü në poste kyçe brenda Bashkisë së Istanbulit dhe degëve të saj, duke formuar një rrjet që ka shpërndarë fonde në kompani "guaska" për përfitime personale.
Raportet financiare pohojnë se kontraktorët që kanë fituar projektet e qytetit janë detyruar të bëjnë pagesa për Imamoğlun dhe bashkëpunëtorët e tij.
Faturat mashtruese, ofertat e fryra të kontratave dhe projektet fiktive dyshohet se kanë lehtësuar pastrimin e të ardhurave, me disa fonde të devijuara në sipërmarrje private ndërtimi. Për më tepër, të dhënat personale të banorëve të Istanbulit thuhet se janë siguruar në mënyrë të paligjshme për të mbështetur operacionet e organizatës.
Hetimi implikon filialet bashkiake si Medya AS, Kultur AS, KIPTAS dhe ISFALT, me zyrtarë të shumtë që dyshohet se janë përfshirë në sjellje të pahijshme financiare.
Janë kryer bastisje të njëkohshme dhe sekuestrime asetesh, me disa të dyshuar tashmë në paraburgim.
- Lidhje të dyshuara me organizatën terroriste PKK
Një hetim i veçantë për aktivitetet e lidhura me terrorizmin ka çuar në urdhra shtesë të paraburgimit për Imamoğlun dhe gjashtë individë të tjerë, përfshirë zëvendëssekretarin e përgjithshëm të bashkisë Mahir Polat si dhe kryebashkiakun e rrethit Şişli të Istanbulit, Resul Emrah Sahan.
Prokurorët thonë se Imamoğlu ka marrë pjesë në një iniciativë "konsensusi urban" të lidhur me Kongresin Demokratik Popullor (HDK), një entitet proterrorist i PKK-së, përpara zgjedhjeve lokale të marsit 2024 në Türkiye.
Në fushatën e saj terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK – e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar.
Sipas një deklarate, krerët terroristë të PKK-së, Cemil Bayik dhe Mustafa Karasu, kanë drejtuar përpjekjet për të rritur ndikimin e grupit në zonat metropolitane, veçanërisht në Istanbul, ku jeton pothuajse një e pesta e popullsisë së vendit.
Prokurorët thonë se Imamoğlu me vetëdije e mbështeti projektin duke miratuar listat e kandidatëve për këshillat e qytetit të lidhura në mënyrë strategjike me objektivat e grupit terrorist.
Deklarata thotë më tej se filialet e shumta të bashkisë, përfshirë Agjencinë e Planifikimit të Istanbulit dhe BIMTAS, punësonin individë me lidhje të dyshuara me PKK-në.
Autoritetet raportojnë se 18 anëtarë të këshillit të qytetit janë arrestuar për lidhje të dyshuara me PKK-në, duke përfshirë nënkryetarët e bashkive Ataşehir dhe Kartal.
Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Istanbulit është udhëzuar të kryejë ndalime të mëtejshme, kontrolle dhe sekuestrime pasurish.
- Arrestime të vazhdueshme dhe pasoja politike
Pas urdhrave të arrestit, gjithsej 84 të dyshuar janë arrestuar nga forcat e sigurisë si pjesë e dy hetimeve të veçanta për terrorizëm, korrupsion dhe krim të organizuar në bashki.
Midis të arrestuarve në operacion janë kryebashkiaku Imamoğlu, këshilltari i tij Murat Ongun, kryetari i Bashkisë Şişli, Sahan, kryetari i rrethit Beylikdüzü Murat Çalık dhe këngëtari Ercan Saatçi, së bashku me 84 të dyshuar të tjerë.
Autoritetet janë ende duke punuar për kapjen e 22 të dyshuarve të tjerë.
Një deklaratë e Bashkisë së Istanbulit mbi hetimin tha se vendi ka parë një proces "të trishtuar" që po shpaloset, duke shtuar se zhvillimet po monitorohen nga afër.
"Ne kemi besim se drejtësia do të rikthehet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe se të gjithë kolegët tanë, përfshirë kryetarin tonë të nderuar, do t'u kthehen detyrave të tyre", thuhet në deklaratë.
"Përgjegjësia jonë më e rëndësishme në këtë proces është të vazhdojmë të ofrojmë shërbim të pandërprerë dhe cilësor për 16 milionë stambollas, ashtu siç kemi bërë deri më sot. Së bashku me të gjithë kolegët tanë, ne do të qëndrojmë në postet tona dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë për qytetin tonë me të njëjtën vendosmëri", theksohet më tej.
Ekrem Imamoğlu është anëtar i Partisë Popullore Republikane (CHP).
Hetimet kanë ndezur polemika politike, me figura të opozitës që i kanë quajtur akuzat të motivuara politikisht.
Autoritetet vazhdojnë hetimet, ndërsa në ditët në vijim priten arrestime të tjera.