Selen Temizer,Aliia Raimbekova,Muhammed Shekh Yusuf
16 Mars 2018•Përditësim: 16 Mars 2018
ASTANA (AA) - Ministrat e jashtëm të Turqisë, Rusisë dhe Iranit u takuan në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, për të diskutuar rreth Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kam biseduar me dy homologët e mi për ta bërë situatën më të mirë në Gutën Lindore, e cila u shkaktua nga regjimi. Ne theksuam nevojën për të bërë dallim mes terroristëve dhe civilëve", tha ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavusoglu në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit.
Çavuşoğlu tha se ekziston nevojë për strategji të ndryshme për neutralizimin e terroristëve, sidomos në vendet ku civilët jetojnë në mënyrë të dendur.
Shefi i diplomacisë turke shprehu ndjeshmëri jo vetëm ndaj civilëve në Gutën Lindore, por edhe në Al-Fua dhe Kefraja në lindje të lumit Eufrat.
Ministrit turk iu parashtura një pyetje provokative nga një i ashtuquajtur "gazetar lokal" rreth operacionit "Dega e Ullirit".
Duke u përgjigjur, Çavuşoğlu tha: "Unë nuk shoh ndonjë nevojë për t'iu përgjigjur pyetjeve të bëra nga retorika e organizatës terroriste FETO. Ne kemi dhënë tashmë deklaratat e nevojshme për Afrinin deri më sot".
Më 20 janar, Turqia nisi operacionin "Dega e Ullirit" për të pastruar terroristët e YPG/PKK dhe DEASH-it nga Afrinit, rajon në veriperëndim të Sirisë.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se përpjekjet e përbashkëta të Rusisë, Turqisë dhe Iranit kanë fituar rëndësi të konsiderueshme, duke pasur parasysh situatën e tensionuar në rajonet si Guta Lindore, Jermuk, Al-Fua, Kefraja, Raka, Idlib dhe Hama.
Lavrov tha gjithashtu se SHBA kishin përdorur forcë vitin e kaluar duke u bazuar në "arsyetimin e pabazë" të përdorimit të armëve kimike.
"Sot, ata po kërcënojnë në mënyrë të ngjashme. Është padyshim e papranueshme", shtoi Lavrov.
Prillin e vitit të kaluar, SHBA kishte goditur një bazë ushtarake të regjimit sirian, për të cilën zyrtarët amerikanë besonin se ishte përdorur për të kryer një sulm kimik.
Ndërkohë, shefi i diplomacisë iraniane, Javad Zarif, tha se Teherani e konsideron procesin e Astanas si hapin e vetëm të suksesshëm për të ndaluar luftën në Siri.
"Falë Astanas, njerëzit filluan të kthehen në territoret siriane", shtoi Zarif.
Tre ministrat e jashtëm publikuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët, e cila theksoi vendosmërinë për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për të zvogëluar dhunën në terren.
Deklarata vendos theks të veçantë në integritetin territorial të Sirisë dhe shton se takimi i ardhshëm në Astana do të mbahet në mes të muajit maj.
Takimi i sotëm në Astana ishte gjithashtu një përgatitje për takimin e liderëve mbi Sirinë në Stamboll më 4 prill.
Bisedimet e paqes në Astana nisën më 23-24 maj të vitit 2017 me qëllim të dhënies fund të dhunës dhe përmirësimit të gjendjes humanitare në Sirinë e shkatërruar nga lufta.
Në raundin e tetë të bisedimeve të Astana më 21-22 dhjetor, vendet garantuese krijuan grupe punuese për shkëmbimin e të burgosurve, identifikimin dhe dorëzimin e të vdekurve dhe sqarimin e zonave historike nën mbrojtjen e UNESCO-s.