Jeyhun Aliyev
05 Janar 2021•Përditësim: 05 Janar 2021
Turqia ka përshëndetur rezultatin e samitit të 41-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), që u mbajt në Arabinë Saudite dhe që shënoi pajtimin midis vendeve të Gjirit Arab, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Shprehja e vullnetit të mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Gjirit dhe njoftimi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Katarin në fund të samitit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, i mbajtur sot në Al-Ula të Arabisë Saudite, është një zhvillim i mirëpritur", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.
Ministria turke theksoi se Turqia shpreson që deklarata e Al-Ulas e nënshkruar në fund të samitit "do të çojë në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit".
Ministria po ashtu përsëriti rëndësinë që Turqia i kushton "unitetit dhe solidaritetit" brenda GCC-së.
"Me rivendosjen e besimit të ndërsjellë midis vendeve të Gjirit, Turqia është e gatshme të zhvillojë më tej bashkëpunimin institucional me GCC-në, me të cilën Turqia është një partner strategjik", tha ministria turke.
Samiti u ndoq nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, duke shënuar një përparim në krizën që filloi në qershor të vitit 2017 kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë lidhjet me Katarin.
Ata e akuzuan Katarin për mbështetje të terrorizmit dhe ndërhyrje në punët e tyre të brendshme, akuza të cilat Doha i mohon.