Të paktën 7 palestinezë u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës
Të paktën 7 palestinezë janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur nga sulmet e Izraelit në pika të ndryshme të Rripit të Gazës
Gaza
Të paktën 7 palestinezë janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur nga sulmet e Izraelit në pika të ndryshme të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarët okularë, një mjet ajror pa pilot izraelit (UAV) bombardoi civilët pranë kryqëzimit të Kanaanit në qytetin Beit Lahiya në veri të Rripit të Gazës.
Nga sulmi humbën jetën tre persona dhe disa u plagosën. Ushtria izraelite kreu sulm ajror pranë një shkolle ku civilët u strehuan në Beit Lahiya. Dy persona humbën jetën në sulm.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan disa ndërtesa që i përkisnin civilëve në Beit Lahiya dhe Jabalia. Dëshmitarë okularë nga lagjja Tel el-Heva në jugperëndim të Gazës thanë se shtëpia që i përkiste familjes Al-Jaroushe pranë një qendre tregtare në rajon u bombardua.
Në sulm ka pasur të vrarë, të plagosur dhe të bllokuar nën rrënoja.
Sipas informacionit të marrë nga burime shëndetësore, ka ndërruar jetë një grua palestineze e cila u plagos kur ushtria izraelite bombardoi shkollën "Abu Asi" në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës disa javë më parë.
Burime shëndetësore në jug të Gazës thanë se një person që humbi jetën dhe 2 persona që u plagosën në sulmin izraelit në qytetin Rafah u transferuan në spitalin "Gaza-Europe" në Khan Younis.
Ekipet e Mbrojtjes Civile theksuan se disa njerëz u plagosën në sulmin e avionëve luftarakë izraelitë në një shtëpi në qytetin Deir al-Belah në pjesët qendrore të Gazës. Përveç kësaj, ushtria izraelite hodhi në erë disa ndërtesa që u përkisnin civilëve në lagjen Al-Jenine, në lindje të qytetit Rafah.