Ekip
25 Janar 2023•Përditësim: 26 Janar 2023
Një tërmet me magnitudë 5,9 ballë goditi ishullin juglindor grek të Rodosit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, tërmeti ka ndodhur 58 kilometra larg brigjeve të qytetit Lindos të Rodosit, pas orës 14:00 me kohën lokale.
Athanasios Ganas, drejtori i kërkimit i Institutit Gjeodinamik, ka thënë për të përditshmen lokale “Kathimerini” se “po rivlerësojnë ende intensitetin përfundimtar”.
“Jemi pa dyshim në një periudhë tërmetesh të shtuara në vendin tonë”, ka thënë ai.
Tërmeti është ndier edhe në ishullin e Kretës, tha instituti.
Sipas mediave lokale, banorët kanë thënë se kohëzgjatja e tërmetit ishte e gjatë, ndërsa deri më tani nuk ka raportime për të lënduar apo dëme.