Şeyma Uzundere
21 Nëntor 2022•Përditësim: 21 Nëntor 2022
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov në një takim diskutoi me homologun e tij nga Zelanda e Re, Peeni Henare, për zhvillimin e kapacitetit të mbrojtjes së Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Reznikov priti homologun e tij Henare në një takim në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev dhe në një postim nga Twitter-i bëri të ditur se kanë diskutuar mbi "projektet e përbashkëta, rrugët për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës dhe ndërtimin e Ukrainës pas luftës".
Ministri Henare më parë zhvilloi një takim me homologun e tij polak, Mariusz Blaszczak.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria polake e Mbrojtjes thuhet se palët, krahas sigurisë rajonale trajtuan edhe ndihmat që do të jepen për Ukrainën.
Henare nga llogaria e tij në Twitter shprehu kënaqësinë për takimin me ministrin Blaszczak dhe ka përcjellë ngushëllime për ata që humbën jetën për shkak të raketës që ra në një fshat të Polonisë në kufi me Ukrainën.
Zelanda e Re më 8 nëntor njoftoi se ka siguruar mbështetje ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.
Ministrja e Jashtme e Zelandës së Re, Nanaia Mahuta tha se me përfshirjen e 14 individëve dhe 7 institucioneve ka arritur mbi 1.200 numri i individëve dhe institucioneve ndaj të cilëve zbatohen sanksione që nga prilli në kuadër të sanksioneve ndaj Rusisë.