Bahtiyar Abdülkerimov
31 maj 2022•Përditësim: 31 maj 2022
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës pretendon se ushtria ruse ka humbur 150 ushtarë të tjerë në 24 orët e fundit dhe se numri i ushtarëve të vrarë rusë në luftë deri më sot ka arritur në 30.500, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi për humbjet e ushtrisë ruse mes periudhës 24 shkurt-31 maj, ndërsa thuhet se ushtria ruse në 24 orët e fundit ka humbur edhe 150 ushtarë të saj.
"Ushtria ruse në 24 orët e fundit ka humbur 150 ushtarë, 8 mjete ajrore pa pilot, 1 avion, 9 tanke, 6 topa dhe 20 mjete të blinduara. Që nga fillimi i luftës ushtria ruse ka humbur 30.500 ushtarë si dhe janë rrëzuar 208 avionë dhe 174 helikopterë ndërsa janë shkatërruar 1.358 tanke, 3.302 mjete të blinduara, 649 topa, 207 sisteme raketahedhëse dhe 93 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkasin rusëve", thuhet në deklaratë.
Forcat ruse kanë humbur 2.275 automjete, 13 anije dhe skafe të lehta shpejtësie dhe 515 mjete ajrore pa pilot (dronë). Vihet në dukje se nga njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës janë goditur dhe shkatërruar edhe 120 raketa lundruese të lëshuara nga rusët.
Më tej theksohet se trupat ruse vazhdojnë përgatitjet për sulme në drejtim të rajonit Slobozhanskyi dhe se kanë kryer sulmet të cilat kanë vendosur në objektiv ndërtesat civile në drejtim të rajoneve Slovyansk, Severodonetsk, Lyman dhe Bakhmutska.
Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë më 25 mars njoftoi se në Ukrainë kanë humbur jetën 1.351 ushtarë rusë.