Burç Eruygur
13 Prill 2023•Përditësim: 13 Prill 2023
Sulmet e artilerisë ruse në rajonet ukrainase Kharkiv dhe Dnipropetrovsk vranë dy persona dhe plagosën pesë të tjerë, transmeton Anadolu.
Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës njoftoi në Telegram se dy civilë u vranë si rezultat i granatimeve nga ushtria ruse në vendbanimin Dvorichna në Kharkiv.
Në deklaratë thuhet se ka nisur një hetim për këtë çështje, duke theksuar se një grua 63-vjeçare ka mbetur e plagosur, ndërsa në mesin e të vrarëve është edhe një banuese 71-vjeçare.
"Në orën 15:40, pushtuesit kanë qëlluar sërish në drejtim të Dvorichna-s, duke plagosur një 75-vjeçar, i cili është dërguar në spital, ku ka ndërruar jetë", thuhet më tej në deklaratë, ku shtohet se janë dëmtuar objektet e banimit.
Përpos kësaj, katër persona u plagosën në qytetin Nikopol në Dnipropetrovsk.
"Ushtria ruse goditi ndërtesat e banimit në Nikopol. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat një burrë 72-vjeçar dhe një grua. Ata u shtruan në spital. Dy të plagosur të tjerë, një burrë 87-vjeçar dhe një grua 74-vjeçare, do të marrin trajtim shtëpiak", tha Guvernatori i Dnipropetrovsk-ut, Serhii Lysak, në një deklaratë në Telegram.
Lysak tha më tej se predhat e artilerisë dëmtuan 13 shtëpi private, dy ndërtesa fermash dhe një makinë në qytet, duke theksuar se po vazhdon hetimi në zonë.
Ai gjithashtu tha në një deklaratë të mëvonshme se sulmet ruse dëmtuan një ndërmarrje tjetër private në qytet, përveç goditjes së tre tubacioneve të gazit me presion të ulët dhe një linje energjie.
"Të gjitha shërbimet punojnë në terren. Viktimave iu është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore", thuhet në njoftim.
Sipas shifrave të fundit të OKB-së, lufta e Rusisë deri më tani ka vrarë 8.490 civilë dhe ka plagosur 14.244 të tjerë në Ukrainë.