Bayram Altuğ
08 Dhjetor 2016•Përditësim: 08 Dhjetor 2016
GJENEVË (AA) - Përfaqësuesja e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) për Halepin, Hanaa Singer, në lidhje me situatën e banorëve të Halepit të cilët përballen me sulmet intensive të regjimit të Asadit dhe milicëve shiitë me mbështetje nga Irani tha se "Vetëm në 10 ditët e fundit në lindje të Halepit janë detyruar të largohen 31.500 persona. Sipas parashikimeve të fundit nga civilët e larguar 50 për qind të tyre e përbëjnë fëmijët", raporton Anadolu Agency (AA).
Singer në një deklaratë duke vënë në dukje se sapo është kthyer nga Halepi pasi ndodhej në emër të UNICEF-it, ka theksuar se situata në qytet përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Duke folur për sulmet nga ajri dhe toka ndaj qindra mijëra civilëve në rajonet nën kontrollin e opozitarëve në lindje të Halepit të ndërmarra nga regjimi dhe mbështetësit e tij, Singer ka theksuar se "Sulmet me bombardime dhe artileri në periudhën e fundit në Halep, kanë qenë edhe më të dhunshme. Bombardimet dhe shpërthimet ishin të pamëshirshme dhe shurdhuese."
Pasi ka rikujtuar se këtë vit kundër shkollave në Siri ka patur 84 sulme, Singer ka tërhequr vëmendjen se si pasojë e sulmeve në fjalë kanë humbur jetën 69 fëmijë dhe qindra të tjera janë plagosur.
"Dhimbjet e përjetuara, në përmasa të padurueshme"
Banorët në lindje të Halepit po përballen me sulmet intensive të regjimit të Asadit dhe milicëve shiitë me mbështetje nga Irani dhe se vetëm në 10 ditët e fundit në lindje të Halepit janë detyruar të largohen 31 mijë e 500 persona, është shprehur Singer. Ajo ka shtuar se sipas parashikimeve të fundit nga civilët e larguar 50 për qind të tyre e përbëjnë fëmijët.
Ndër të tjera duke theksuar se dhimbjet e përjetuara në lindje të qytetit ku është fokusuar e gjithë bota kanë arritur në përmasa të padurueshme Singer ka deklaruar: "Mijëra fëmijë ndodhen të izoluar në lindje të Halepit i cili është vetëm një prej rajoneve nën rrethim. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që janë të përfshira në konflikt që ti japin fund sulmeve kundrejt civilëve, shkollave dhe spitaleve, si dhe ti japin fund përdorimit të fëmijëve për të luftuar dhe përdorimin e rrethimit si armë. Dëshira më e madhe e familjeve siriane dhe e fëmijëve është që të kthehen në shtëpitë e tyre, të jetojnë në paqe dhe të kontribuojnë për rindërtimin e vendit të tyre."