Universiteti Islamik i Gazës i shkatërruar nga sulmet izraelite, tani strehon palestinezët e zhvendosur
Për shkak të mungesës së ushqimit dhe ngrohjes, të shkaktuar nga bllokada izraelite, palestinezët e zhvendosur filluan të djegin librat e vjetër të universitetit për t’u ngrohur dhe për të gatuar

Gaza
Pas rifillimit të sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës të martën e kaluar, Universiteti Islamik i Gazës, i cili ishte institucioni më i madh arsimor në rajon, është kthyer në një strehë për familjet palestineze të zhvendosura, raporton Anadolu.
Pas ofensivës ushtarake të Izraelit, shumë palestinezë u detyruan të evakuojnë shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në zonat e konsideruara si “të sigurta” nga ushtria izraelite, përfshirën e Beit Hanoun, Huza dhe Khan Younis.
Mes atyre që kërkuan strehim ishin edhe familje nga qyteti Beit Hanoun, të cilët u strehuan në ndërtesat e dëmtuara të universitetit.
Për shkak të mungesës së ushqimit dhe ngrohjes, të shkaktuar nga bllokada izraelite, palestinezët e zhvendosur filluan të djegin librat e vjetër të universitetit për t’u ngrohur dhe për të gatuar.
Mithat Al-Afifi, një banor i zhvendosur nga Beiut Hanouni, ndau për Anadolun realitetin e dhimbshëm të largimit nga lagja e tij për herë të dytë për shkak të sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite.
“Kjo është hera e dytë që ne zhvendosemi pasi fillimisht u kthyem për ta rindërtuar. Tani, derisa filluam të pastrojmë dhe të punojmë për të gjetur një vend për të jetuar, Izraeli përsëri na urdhëroi të largohemi nga Beit Hanouni”, tha Al-Afifi.
Muhammad Khalaf, një mësues që kërkoi strehim në universitet së bashku me familjen e tij, i bëri thirrje botës, duke u shprehur se “mbështetja për Gazën është jetike, jo vetëm për nevojat bazë të mbijetesës si ushqimi dhe uji, por edhe për të filluar rindërtimin e jetës sonë”.
Të paktën 700 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur në një fushatë të papritur ajrore nga Izraeli në Gaza që nga e marta e kaluar, duke e rrëzuar armëpushimin dhe marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve që u arrit në muajin janar.
Pothuajse 50 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 113 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Izraeli për luftën brutale në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një rast gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.