Bota

Ushtria izraelite dërgon forca shtesë në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite ka forcuar bllokadën e saj në kampin e refugjatëve Jenin, duke dërguar më shumë forca të shoqëruara nga dronë dhe buldozerë

Ahmed Asmar  | 04.09.2024 - Përdıtësım : 04.09.2024
Ushtria izraelite dërgon forca shtesë në Bregun Perëndimor

Ramallah

Ushtria izraelite dërgoi forca shtesë në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, në mes të ofensivës së madhe që hyri në ditën e saj të tetë, raporton Anadolu.

Një korrespondent i Anadolu-s raportoi se ushtria izraelite dërgoi përforcime ushtarake në zona të caktuara në Jenin dhe Tulkarem, mes shkëmbimit të zjarrit me luftëtarët palestinezë.

Ushtria izraelite ka forcuar bllokadën e saj në kampin e refugjatëve Jenin, duke dërguar më shumë forca të shoqëruara nga dronë dhe buldozerë. Sipas dëshmitarëve okularë, ushtria izraelite ndaloi disa palestinezë nga kampi i refugjatëve Jenin, i mori në pyetje, por më vonë i liroi.

Buldozerët e ushtrisë izraelite shkatërruan pjesë të infrastrukturës në qytetin Jenin dhe kampin e tij të refugjatëve, duke ndërprerë shërbimet e ujit dhe energjisë elektrike për qytetarët, shtuan dëshmitarët.

Në Tulkarem, ushtria izraelite vazhdoi të shkatërronte infrastrukturën e qytetit ndërsa ushtarët izraelitë bastisën disa shtëpi pasi shkatërruan me eksplozivë portat e tyre, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ekipet e saj mjekësore trajtuan dhe transferuan në spital tetë palestinezë që pësuan asfiksim nga zjarret që shpërthyen në kampin e refugjatëve Tulkarem si rezultat i ofensivës izraelite.

Ndërkohë, grupet palestineze, përfshirë grupet Hamas, Xhihadi Islamik dhe Brigadat e Martirëve Al-Aksa të grupit Fatah që është në pushtet, njoftuan në deklarata të veçanta se luftëtarët e tyre po përballen me forcat izraelite në Tulkarem.

Ushtria izraelite javën e kaluar nisi operacionin e saj më të madh ushtarak në pjesën veriore të Bregut Perëndimor pas dy dekadash, duke vrarë të paktën 33 persona dhe duke shkaktuar shkatërrime masive. Ofensiva erdhi në mes të tensioneve në rritje në territorin e pushtuar teksa Izraeli vazhdonte me sulmin e tij brutal në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 40.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Të paktën 685 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 5.700 janë plagosur nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky operacion ushtarak izraelit vjen përkundër një opinioni historik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) më 19 korrik që shpalli të paligjshëm pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.