Ushtria izraelite në sulmet e saj shkatërroi 50 shtëpi dhe 280 biznese në Bregun Perëndimor
Ushtria izraelite ka shkatërruar 50 shtëpi dhe 280 biznese në sulmet që filluan më 27 janar në qytetin Tulkarm në Bregun Perëndimor të pushtuar

Tulkarm
Ushtria izraelite ka shkatërruar 50 shtëpi dhe 280 biznese në sulmet që filluan më 27 janar në qytetin Tulkarm në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Guvernatori i qytetit Tulkarm, Faisal Selame në një deklaratë për gazetarin e AA-së dha informacione për shkatërrimet e shkaktuara nga bastisjet e ushtrisë izraelite në qytetin Tulkarm.
"Ushtria izraelite shkatërroi 16 shtëpi në prishjen që ata kryen të martën për të hapur rrugë të reja për të lehtësuar bastisjet në kampin e refugjatëve në Tulkarm. Ky është operacion i planifikuar pushtues ushtarak në kuadër të metodologjisë së pushtimit. Po hapen rrugë edhe pse ato janë ndërtesa banimi. Dje në mëngjes mësuam se qëllimi ishte të shemben shtëpitë. Ushtria pengoi që banorët të mbërrinin atje dhe të merrnin ato sende që mund të mbanin. Shtëpitë u shkatërruan me gjithçka që kishin brenda", tha Selame.
Ai shtoi se "rrugët u hapën" me prishje në një mënyrë që do të ndryshojnë pamjen e përgjithshme të kampit dhe se ajo që u bë ishte si një "proces riorganizimi". Guvernatori palestinez i përshkroi praktikat e Izraelit në rajon si "një masakër dhe komplot i paligjshëm në mes të heshtjes së vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar dhe botës arabe".
Sipas tij, ndaj qytetit Tulkarm dhe dy kampeve atje janë kryer mbi 62 sulme në shkallë të gjerë.
"Operacioni aktual është më i madhi dhe ka 23 ditë që po vazhdon në kampin Tulkarm dhe është zgjeruar në kampin Nur Shams. Në operacionin që po vazhdon, janë shkatërruar plotësisht rreth 50 shtëpi dhe qindra të tjera janë shkatërruar pjesërisht. Mijëra shtëpi janë shkatërruar si rezultat i bombardimeve, rrënimit dhe djegies. Kjo ka ndikuar ndaj jetës ekonomike bashkë me infrastrukturën në kamp", tha Selame duke shtuar:
"Ne po jetojmë në një fatkeqësi të vërtetë nën kushte tragjike që shënjestrojnë gratë, fëmijët, të moshuarit dhe të gjithë. Shumica e njerëzve në kamp janë zhvendosur dhe rreth 50 familje kanë mbetur nëpër shtëpi pa ujë dhe energji elektrike në kushte të vështira".
- Sulmet izraelite në veri të Bregut Perëndimor
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gaza më 19 janar, ushtria izraelite më 21 janar nisi një sulm në qytetin Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, të cilin e quajti "Muri i Hekurt".
Ushtria izraelite, sulmet e saj të ashpra që vazhdonte në Jenin i zgjeroi më 27 janar në Tulkarm, më 2 shkurt duke përfshirë kampin e refugjatëve El-Faria në Tubas dhe qytezën Tamun. Ushtria izraelite pas një bastisjeje shtatë-ditore tërhoqi forcat e saj nga Tamun më 8 shkurt.
Më 9 shkurt, trupat izraelite zgjeruan ofensivën e tyre, përfshirë kampin e refugjatëve Nur Shams në lindje të Tulkarm.
Në sulmet e ushtrisë izraelite që nga 21 janari, janë vrarë 56 palestinezë, janë plagosur mijëra të tjerë, ndërsa strukturat dhe infrastruktura në zonë janë shkatërruar gjerësisht.
Që nga 7 tetori 2023, në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që kanë uzurpuar tokat palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar, janë vrarë 917 palestinezë, përfshirë 167 fëmijë ndërsa janë plagosur 7.000 të tjerë.