Bota

Ushtria izraelite njoftoi se "po heton vdekjen e një shtetase të huaj" në Bregun Perëndimor

Aktivistja turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi u qëllua për vdekje nga ushtria izraelite gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në qytetin Beita, në qarkun Nablus

Mohammad Sıo  | 06.09.2024 - Përdıtësım : 07.09.2024
Ushtria izraelite njoftoi se "po heton vdekjen e një shtetase të huaj" në Bregun Perëndimor Foto: AA/Arkiv

Kuds

Ushtria izraelite njoftoi se po heton raportet për vdekjen e një shtetase të huaj në qytetin Beita, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të shkurtër, ushtria izraelite tha se "po shqyrton raportet se një shtetase të huaj u vra si rezultat i të shtënave në zonë".

“Po shqyrtohen detajet e incidentit dhe rrethanat në të cilat ajo u qëllua”, shtohet në deklaratë, pa bërë të ditur kombësinë e personit.

Aktivistja turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi u qëllua për vdekje nga ushtria izraelite gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në qytetin Beita, në qarkun Nablus.

Më herët gjatë ditës, Fouad Nafaa, drejtor i Spitalit Rafidia, tha për Anadolu se Ayşenur Ezgi Eygi, që kishte një shtetësi të dyfishtë të Türkiyes dhe SHBA-së, mbërriti në spital me një plagë me armë zjarri në kokë.

Sipas drejtorit Nafaa, Eygi, e cila lindi në qytetin turk të Antalya në vitin 1998, iu nënshtrua plagëve të marra pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore.

Dëshmitarët okularë raportuan se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një grupi palestinezësh që merrnin pjesë në një demonstratë që dënonte vendbanimet ilegale në malin Sbeih në Beita, në jug të Nablusit.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa konfirmoi se viktima ishte një shtetase amerikane dhe një vullnetare e fushatës “Fazaa”, një iniciativë që synon mbështetjen dhe mbrojtjen e fermerëve palestinezë nga shkeljet e vazhdueshme nga kolonët dhe ushtria ilegale izraelite.

Banorët në Beita mbajnë protesta javore pas namazit të xhumasë për të kundërshtuar vendbanimin ilegal izraelit Avitar, i cili është krijuar në majën e malit Sbeih. Komuniteti kërkon heqjen e vendbanimit të paligjshëm, të cilin ata e shohin si shkelje të të drejtave të tyre mbi tokën.

Tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar teksa Izraeli vazhdon sulmin e tij në Rripin e Gazës, ku ka vrarë rreth 40.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Përpos kësaj, që atëherë të paktën 691 njerëz janë vrarë dhe mbi 5.700 janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.