Vazhdojnë sulmet izraelite në Gaza, të paktën 25 palestinezë të vrarë
Dëshmitarët thanë se vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesës, ndërsa të paktën 25 persona janë konfirmuar të vrarë
Gaza
Të paktën 25 palestinezë u vranë kur avionët luftarakë izraelitë goditën dhe rrafshuan një shtëpi të banuar në Beit Lahia në pjesën veriore të Gazës, raporton Anadolu.
Dëshmitarët thanë se vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesës në zonën Beit Lahia, ku ishin strehuar gra dhe fëmijë.
Që nga 7 tetori, Izraeli ka nisur një operacion tokësor në shkallë të gjerë në veri të Gazës "për të parandaluar rigrupimin" e grupit të rezistencës palestineze Hamas. Palestinezët, megjithatë, akuzojnë Izraelin se synon të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.
Që atëherë, pothuajse nuk është lejuar asnjë ndihmë humanitare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin, duke e lënë në prag të urisë shumicën e popullsisë e cila aktualisht vlerësohet të jetë 80 mijë.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, më shumë se 2.700 njerëz janë vrarë që atëherë në Gazën veriore.
Në përgjithësi, në sulmin izraelit që filloi pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor 2023 janë vrarë më shumë se 44.400 njerëz në Gaza dhe enklava tani është e pabanueshme.
Më 21 nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.