Vendet e Ballkanit Perëndimor, destinacion i preferuar për turistët këtë vit
Rajoni pret gjithnjë e më shumë turistë çdo vit, me ndërtesat e trashëgimisë osmane, qytetet antike, fshatrat autentikë, detin e thellë blu, plazhet, lumenjtë dhe natyrën me çdo nuancë të gjelbër
Ankara
Vendet e Ballkanit Perëndimor; Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, me bukuritë e tyre historike dhe natyrore edhe këtë vit arritën shifra rekorde në turizëm.
Në sezonin e 2024, vendet e lartpërmendura i vizituan miliona njerëz, sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu.
Rajoni pret gjithnjë e më shumë turistë çdo vit, me ndërtesat e trashëgimisë osmane, qytetet antike, fshatrat autentikë, detin e thellë blu, plazhet, lumenjtë dhe natyrën me çdo nuancë të gjelbër.
- Shqipëria renditet e para në Evropë për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj
Turizmi është kthyer në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Shqipërisë, duke u konsideruar nga autoritet shqiptare si një prej motorëve kryesorë të zhvillimit dhe rritjes ekonomike të vendit.
Oferta gjithëpërfshirëse turistike e vendit ka ndryshuar edhe llojin dhe qëllimin, ku pushuesit e huaj nuk qëndrojnë vetëm në bregdet dhe turistët nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në muajt e verës për plazhet, por kanë mundësi të eksplorojnë agroturizmin, sitet kulturore, festat e panairet lokale, si dhe turizmin malor.
Ndërkohë, vizitorët më të shumtë në numër janë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Britania, Mali i Zi, Polonia, SHBA-ja, për të vazhduar më pas me shtetasit nga Spanja, Gjermania, Zvicra, Spanja, Austria, Türkiye, Bullgaria, Kroacia, Rumania dhe shtete të tjera.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë ka konfirmuar se 9,7 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në vend në periudhën janar-shtator 2024.
Ndërkaq, Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO) ka publikuar Barometrin e Turizmit për periudhën janar-korrik 2024, ku konfirmoi se Shqipëria renditet e para në Evropë për rritjen e numrit të vizitorëve dhe e dyta në botë pas Katarit.
Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se Shqipëria kryeson në Evropë për rritjen e turizmit.
"Sipas UNWTO, nga janari deri në korrik 2024, Shqipëria është e para në Evropë për rritjen e vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me kohët para COVID-it, dhe e dyta në nivel global, pak pas Katarit", ka shkruar Rama.
Autoritetet shqiptare gjithashtu gjatë muajt tetor 2024 kanë prezantuar edhe Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, me fokus modelin e zhvillimit të qëndrueshëm si dhe objektivat në sektorin e turizmit.
Strategjia në fjalë mbështetet në gjashtë shtylla kryesore që përfshijnë investimet, politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, menaxhimi i destinacioneve, zhvillimi i produktit turistik, marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik.
Strategjia Kombëtare e Turizmit projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në disa rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.
"Shqipëria 2030, kampione e Ballkanit në turizëm", është një prej objektivave të Qeverisë shqiptare që e vendos turizmin ndër sektorët prioritarë të zhvillimit. Në këtë kuadër, institucionet shqiptare po ndjekin një strategji dhe vizion gjithëpërfshirës për sektorin e turizmit, me vëmendjen tek mjedisi dhe infrastruktura.
- Kosova shënon rritje në numrin e turistëve
Sipas statistikave të akomodimit të publikuan nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), rreth 38 mijë turistë të huaj kanë qëndruar në hotele në vend në korrik dhe afërsisht 45 mijë në gusht. Më së shumti turistë të huaj në Kosovë kanë ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Türkiye.
Sipas të dhënave të ndara nga ASK për vitin 2023, vitin e kaluar në hotele në vend kanë qëndruar rreth 357 mijë turistë të huaj. Krahasuar me vitin 2022, ky numër është rritur me rreth 20 për qind.
Nga ana tjetër, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari", i vetmi aeroport në vend, që priti përafërsisht 3,4 milionë pasagjerë në vitin 2023, pritet të kalojë pragun prej 4 milionë pasagjerësh këtë vit.
- Qytetarët turq janë turistët më të shpeshtë në Maqedoninë e Veriut
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, numri i turistëve të huaj në gusht 2024 është 119.572, ndërsa numri i turistëve vendas është 113.004, me çka numri i përgjithshëm i turistëve është 232.576.
Në periudhën janar - gusht 2024, numri i turistëve të huaj është 568 877. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, numri i turistëve të huaj ishte 497.386, që do të thotë se këtë vit ka një rritje prej 14.4 për qind.
Qytetarët turq qëndrojnë bindshëm në vendin e parë, kur analizohen vendet nga vijnë turistët e huaj.
Në muajin gusht, Maqedoninë e Veriut e kanë vizituar 50.227 shtetas turq, që përbën 42 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve të huaj. Në periudhën janar - gusht 2024, numri i shtetasve turq që kanë vizituar Maqedoninë e Veriut është 203.722, apo 35,81 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve të huaj.
Maqedonia e Veriut shënoi një numër rekord të turistëve para pandemisë COVID-19, në vitin 2019, kur numri i përgjithshëm i turistëve, vendas dhe të huaj, ishte 1.184.963.
Vitin e kaluar numri i turistëve pothuajse arriti në atë nivel, respektivisht numri i përgjithshëm i turistëve ishte 1.168.730. Nëse ruhet trendi i rritjes së numrit të turistëve në krahasim me vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut pritet të arrijë një numër të ri rekord të turistëve këtë vit.
- Bosnje e Hercegovina theu rekord në numri ne turistëve
Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të BeH, në 8 muajt e vitit 2024 vendin e vizituan 941.668 turistë. Numri i turistëve ka shënuar një rritje prej 10,8 për qind në krahasim me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe, shumica e turistëve që e vizituan Bosnje e Hercegovinën janë nga Türkiye. Türkiye u pasua nga Kroacia, Serbia dhe Arabia Saudite në renditje. Në periudhën 8-mujore Bosnje e Hercegovinën e kanë vizituar 145.493 turistë nga Türkiye, 113.728 nga Kroacia, 105.021 nga Serbia dhe 81.137 nga Arabia Saudite.
Kreu i Unionit të Turizmit të Kantonit të Sarajevës, Haris Fazllagiq, në deklaratën për Anadolu tha se kanë thyer rekord në 9 muaj dhe se mbi 630 mijë turistë kanë mirëpritur në Sarajevë.
Duke treguar se ka pasur një rritje prej 20 për qind në numrin e turistëve që kanë vizituar kryeqytetin Sarajevë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Fazllagiq tha:
"Nëse e shqyrtojmë profilin turistik, 90 për qind e vizitorëve janë të huaj, ndërsa 10 për qind përbëhet nga turistët vendas. Kantoni i Sarajevës po përjeton një vit të suksesshëm. Me linjat e reja ajrore në pranverë presim edhe më shumë turistë. Në 9 muaj më së shumti mirëpritëm turistë nga Türkiye, Arabia Saudite, Kroacia, Kina, Serbia, Gjermania, SHBA, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajt. Qëndrimi mesatar i turistëve që vijnë në Sarajevë është 2,2 netë".
Ai tha se turistët vizitojnë edhe vendet përkatëse me luftën në Bosnje që ndodhi në vitet 1992-1995. "Vizitorët duan të shohin vijën e rrethimit, tunelin e shpresës dhe atraksione të tjera turistike. Më pëlqen të them se malet përreth Sarajevës janë deti i Sarajevës. Reshjet e borës luajnë një rol të rëndësishëm në stinën e dimrit, por bora gradualisht po zvogëlohet", u shpreh ai.
- Edhe Serbinë e vizitojnë më së shumti turistë turq
Sipas të dhënave të Unionit Serb të Turizmit, me mbi 1,5 milion turistë që kanë vizituar vendin pritet të thyhet rekord për sezonin 2024.
Nga ana tjetër, sipas informacioneve të marra nga Konsulenca e Kulturës dhe Turizmit e Ambasadës së Türkiyes në Beograd, ka pasur një rekord në numrin e turistëve turq që kanë vizituar vendin vitin e kaluar.
Turqit renditen të parë në renditjen e turistëve që vizitojnë Serbinë. Në periudhën janar-shtator 2024, numri i turistëve turq është regjistruar të jetë 185.885. Në krahasim me vitin 2023, është shënuar një rritje prej 22 për qindësh në numrin e turistëve turq.
Ndërkaq, Malin e Zi në 9 muajt e para të vitit 2024, e vizituan 1 milion e 226 mijë turistë.
- Vendet më të vizituara në rajon
Shqipëria është kthyer në një nga vendet më të preferuara nga turistët, veçanërisht në muajt e verës, me vijën e saj bregdetare. Në Kosovë vendet më të vizituara janë Prishtina dhe Prizreni, ndërsa në Maqedoninë e Veriut Shkupi dhe Ohri me liqenin e tij.
Qytetet më të preferuara në Bosnje e Hercegovinë nga turistët përveç Sarajevës janë Mostari dhe Travniku.
Sarajeva, qyteti më i vizituar nga turistët, u zgjodh si "më i miri në botë" nga revista National Geographic ndër vendet për t'u vizituar në vitin 2025.
Në Mal të Zi, Budva dhe Kotori, të vendosura veçanërisht në vijën bregdetare, tërheqin vëmendjen si qytetet ku vijnë më shumë turistët.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.