Malik Hasa
28 Prill 2016•Përditësim: 28 Prill 2016
PRISHTINË (AA) – Pas një deklarate për dorëheqje të parevokueshme të bërë nga deputeti Azem Syla ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, postuar në profilin e tij në Facebook, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas nisjes së një hetimi ndaj tij, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, është shprehur: "Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, nga sot ofroj dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha përgjegjësitë instutucionale, nga të qenurit deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Hetimi i filluar ndaj meje është i padrejtë, por unë dëshiroj t'i jap hapësirë dhe mundësi drejtësisë të punojë pa ndikime."
Ndërkohë pas kësaj deklarate, kreu i Kuvendit, Veseli, në një postim në Facebook ka përshëndetur këtë vendim duke e quajtur atë si një "veprim fisnik".
"Përshëndes dhe përgëzoj deputetin e Kuvendit të Republikës Kosovës, Azem Syla, për aktin fisnik të dhënies së dorëheqjes prej mandatit të deputetit për t'i hapur plotësisht rrugën organeve të drejtësisë në procesin e zbardhjes dhe trajtimit të çështjes së hapur ndaj tij. Me këtë veprim ai po vendos një precedent të ri të qytetarisë dhe përgjegjësisë publike që duhet të shërbejë si standard dhe model për të gjithë ata që gjenden në rrethana të ngjashme", është shprehur në postimin e tij Veseli.
Kreu i Kuvendit, Veseli, në postimin e tij ka inkurajuar edhe aktorët e tjerë politikë dhe funksionarë të lartë shtetërorë, që gjenden para akuzave apo kanë çështje të tilla të hapura me drejtësinë, që të nđjekin rrugën e njëjtë dhe të tërhiqen nga detyrat e rëndësishme që kanë në mënyrë që, sipas tij, ta lënë drejtësinë sa më të lirë në përmbushjen e detyrës së tyre.