Faruk Zorlu
18 Korrik 2020•Përditësim: 19 Korrik 2020
Në mes të luftës shkatërruese civile të Sirisë, vetot e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit për të ndihmuar regjimin e Bashar al-Asadit kanë shkaktuar vdekjen e "gati një çerek milioni sirianëve dhe arrestimin e afro 150 mijë të tjerëve", tha Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Projekt-rezolutat më serioze dhe potencialisht efektive të Këshillit të Sigurimit për ndalimin e regjimit sirian janë pamundësuar vazhdimisht nga Rusia dhe Kina përmes përdorimit të fuqisë së tyre të vetos në mbrojtje të regjimit sirian", thuhet në raportin e grupit të të drejtave të njeriut.
Në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, Rusia ka përdorur veton 16 herë në favor të regjimit, përfshirë 10 veto të përbashkëta me Kinën.
Këto veto për regjimin kontribuan në "një rritje alarmante në nivelin e mizorive të tij", thekson raporti, në të cilin është paraqitur një kronologji e vetove të Rusisë dhe Kinës në mbështetje të regjimit të Asadit.
"Rusia dhe Kina kanë përdorur veton e tyre 6 herë për të mbrojtur regjimin sirian në përdorimin e përsëritur të armëve kimike, dhe 3 herë për të parandaluar dërgimin e ndihmave të OKB-së", thuhet në raport.
SNHR po ashtu thekson se vetot në fjalë pamundësojnë nxjerrjen e regjimit sirian para drejtësisë.
Në fillim të këtij muaji, Rusia dhe Kina vendosën veto ndaj dërgimit të ndihmave humanitare në Siri, përfundimisht duke lejuar vetëm një kalim kufitar për të futur ndihmat në Siri, nga dy që ishin më parë.