Vizitorët të impresionuar nga fotografitë në ekspozitën e Istanbul Photo Awards në Bruksel
Në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës, u ekspozuan punimet që kanë fituar çmime në konkursin Istanbul Photo Awards, i cili organizohet prej dhjetë vitesh nga Anadolu
Bruksel
BRUKSEL (AA) - ATA UFUK ŞEKER – Vizitorët ekspozitës së mbajtur në Bruksel në kuadër të 10-vjetorit të Istanbul Photo Awards, konkursit ndërkombëtar të fotografisë së lajmeve të organizuar nga Agjencia Anadolu (AA), përjetuan momente emocionale.
Në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës, u ekspozuan punimet që kanë fituar çmime në konkursin Istanbul Photo Awards, i cili organizohet prej dhjetë vitesh nga Anadolu.
Vizitorët që morën pjesë në pritjen zyrtare të ekspozitës mbetën shumë të impresionuar nga mesazhet e përcjella nga fotografitë.
Duke dhënë komentet e tij për korrespondentin e AA-së, analisti i politikave me qendër në Bruksel, Johann Weick, tha se ekspozita në Bruksel e Istanbul Photo Awards është shumë e rëndësishme dhe efektive.
Weick tha se punën e bërë duhet ta shohin veçanërisht diplomatët, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare dhe gazetarët.
Duke kujtuar se ekspozita përfshin fotografi që përshkruajnë tërmetet e 6 shkurtit 2023 në Türkiye, luftën në Ukrainë dhe ngjarjet që rezultuan nga sulmet e Izraelit në Gaza, Weick tha: “Veçanërisht fotografia e shpërblyer e shkrepur në Gaza është mjaft mbresëlënëse”.
Sipas tij, Anadolu “po bën një punë të shkëlqyer” veçanërisht me raportimin mbi ngjarjet nga rajoni.
“Nuk duhet të ndalojmë kurrë raportimin nga Gaza, jugu i Libanit dhe Bregu Perëndimor", tha ai.
Weick theksoi se është shumë e rëndësishme të fotografohet ajo që po ndodh në Gaza dhe se nuk duhet bërë raportime të njëanshme. Ai vuri në dukje rëndësinë që të dëgjohet zëri i palestinezëve.
- Të vërtetat zbulohen para syve
Piktori Yves Gobart, i cili vizitoi ekspozitën, deklaroi se po shikon për herë fotografitë e shpërblyera me çmime në Istanbul Photo Awards.
“Më duhet të them se më ka bërë shumë përshtypje cilësia e temave dhe përmbajtjes së fotografive, veçanërisht te fituesi i çmimit të parë”, tha ai.
“Fotografitë e përzgjedhura i kapin shumë mirë momentet dhe emocionet”, vlerësoi ai.
Gobart theksoi se vepra e vlerësuar me çmim nga Mohammed Salem me titull “Gruaja palestineze që përqafon trupin e vdekur të mbesës së saj” ka të bëjë me një temë shumë të dhimbshme dhe tha se kjo pamje zbulon realitetin dhe përcjell të gjitha ndjenjat.
Ndërkaq, Shohina Behzoda, e cila punon për revistën “Diplomatic World” me bazë në Bruksel, tha: “Ka fotografi shumë efektive në ekspozitë. Është shumë e rëndësishme të organizohen ngjarje të tilla për të rritur ndërgjegjësimin për ngjarjet që ndodhin në botë”.
Behzoda shpjegoi se punimet në ekspozitë nuk janë thjesht fotografi, por vepra që shpalosnin historitë dhe ndjenjat jetësore të njerëzve dhe se ajo personalisht është prekur nga to.
- Ekspozita e Istanbul Photo Awards 2024
Këtë vit, për konkursin Istanbul Photo Wards arritën më shumë se 20 mijë aplikime fotografike. Në garë u vlerësuan fotografi teke dhe foto-galeri në fushën e lajmeve, sportit, mjedisit, portretit dhe jetës së përditshme. 32 fotografë fituan çmime në gjithsej dhjetë kategori në konkurs.
Konkursi u mbështet nga Sony, ndërsa Turkcell ishte sponsor komunikimi këtë vit. Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) është sponsor i ngjarjeve ndërkombëtare dhe Turkish Airlines (THY) sponsor i linjës ajrore.
Informacione rreth fotografive fituese të çmimeve mund të gjenden në “istanbulphotoawards.com”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.