Von der Leyen: BE-ja do të rrisë zotimin për Sirinë në 2,5 miliardë euro për vitet 2025-2026
Duke përsëritur nevojën për të rindërtuar qytetet dhe për të rifilluar ekonominë, shefja e Komisionit Evropian tha se kjo është arsyeja pse blloku ka pezulluar sanksionet ndaj sektorëve kryesorë ekonomikë

Istanbul
ISTANBUL (AA) – Bashkimi Evropian planifikon të rrisë zotimin e tij financiar për sirianët në rreth 2,5 miliardë euro për vitet 2025 dhe 2026, njoftoi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raporton Anadolu.
“Sirianët kanë nevojë për mbështetje më të madhe, pavarësisht nëse janë ende jashtë vendit apo vendosin të shkojnë në shtëpi, dhe kjo është arsyeja pse sot, Bashkimi Evropian po rrit premtimin e tij për sirianët në vend dhe në rajon në pothuajse 2,5 miliardë euro për vitin 2025 dhe 2026”, tha von der Leyen në konferencën e 9-të ndërkombëtare në mbështetje të Sirisë të mbajtur në Bruksel.
Duke përsëritur nevojën për të rindërtuar qytetet dhe për të rifilluar ekonominë, von der Leyen tha: “Ka qytete të tëra për t’u rindërtuar dhe e gjithë ekonomia për të rifilluar, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi pezulluar sanksionet tona ndaj sektorëve kryesorë ekonomikë. Këtu përfshihet transporti i energjisë dhe transaksionet financiare që lidhen me to, dhe ne jemi gati të bëjmë më shumë për të tërhequr investimet e nevojshme për rindërtim”.
Ajo gjithashtu e vlerësoi angazhimin e autoriteteve siriane për të mbrojtur pakicat dhe për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse si “jetik” për pajtimin.
Presidentja e Komisionit Evropian tha gjithashtu se po planifikojnë të zhvillojnë dialogun e shoqërisë civile mbi konferencën e Brukselit në Damask, duke nënvizuar se të gjithë sirianët “meritojnë të marrin të ardhmen e tyre në duart e tyre”.
Që nga viti 2017, BE-ja ka mbajtur një konferencë vjetore donatorësh në mbështetje të Sirisë, gjatë së cilës blloku ofron grante dhe ndihmë për Sirinë e shkatërruar nga lufta dhe për vendet që strehojnë refugjatë sirianë.
Në konferencën e këtij viti merr pjesë ministri i Jashtëm sirian Asaad Al-Shaibani.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.