Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, organizohet protestë për "sigurinë e fëmijëve”
Protesta e organizuar nga prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile në formën e një marshimi, ka mbledhur së bashku dhjetëra qytetarë, të cilët kanë kërkuar nga institucionet më shumë mbrojtje dhe siguri për fëmijët
Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur një protestë me moton “Për jetën, sigurinë dhe arsimin e fëmijëve”, pas vrasjes së një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij disa ditë më parë, raporton Anadolu.
Protesta e organizuar nga prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile në formën e një marshimi, ka mbledhur së bashku dhjetëra qytetarë, të cilët kanë kërkuar nga institucionet më shumë mbrojtje dhe siguri për fëmijët.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht pranë Shkollës Nëntëvjeçare "Fan Noli" në Tiranë, për të marshuar më pas drejt selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Me pankartat me mbishkrimet "Institucionet e papërgjegjshme vrasin", "Fëmijët duhet të jetojnë, jo të vriten", "14 vjet ëndrra të shuara, kush mban përgjegjësi", "Heshtja jonë ushqen padrejtësinë", protestuesit theksuan se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për ngjarjen ku mbeti i vrarë një nxënës.
Protestuesit hodhën bojë të kuqe para selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ndërkohë disa prej tyre bënë thirrje edhe për dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Sipas organizatorëve, një nga qëllimet e organizimit të protestës ishte edhe sensibilizimi i institucioneve për marrjen e masave shtesë për të garantuar sigurinë në ambientet e shkollave.
- Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë
Më 18 nëntor, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.
Në një reagim pas ngjarjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit theksoi se siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut i bashkëpunimit mes kësaj ministrie dhe institucioneve të tjera.
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi nisjen e një konsultimi dhe këshillimi publik me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, lidhur me bllokimin e plotë të rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.
Nisma në fjalë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij dhe pas rasteve të ndryshme të ekspozimit online të konflikteve mes të miturve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.