Vriten 19 palestinezë në sulmet izraelite në pjesë të ndryshme të Gazës
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme dje në mëngjes pas armëpushimit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar

Istanbul
Të paktën 19 palestinezë janë vrarë në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës që nga mbrëmë, raporton Anadolu.
Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, 13 persona, përfshirë një nënë dhe një fëmijë humbën jetën në sulmet e Izraelit që shënjestruan tendat ku po strehoheshin palestinezët e zhvendosur në lindje dhe perëndim të qytetit të Khan Younis.
Dëshmitarët thanë se ushtria izraelite bombardoi të paktën katër tenda në Khan Younis dhe se krahas të vdekurve, ka edhe të plagosur. Ushtria izraelite bombardoi një tendë që u përkiste palestinezëve në perëndim të qytetit Rafah dhe se në sulm humbën jetën dy fëmijë.
Katër palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën nga sulmi në shtëpinë e familjes Khattab në lagjen Sabra në jug të qytetit të Gazës.
Gjatë natës, ushtria izraelite sulmoi me artileri disa zona të Rripit të Gazës. Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij veçanërisht në zonat në juglindje të qytetit të Gazës. Helikopterët hapën zjarr ndaj zonave të banuara në verilindje të kampit të refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore.
- Ushtria izraelite shkeli armëpushimin dhe rifilloi sulmet në Gaza
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme dje në mëngjes pas armëpushimit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar. Në sulmet ajrore që ushtria izraelite kreu në Rripin e Gazës mëngjesin e 18 marsit, humbën jetën të paktën 400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa u plagosën mbi 500 të tjerë.
Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet kanë filluar me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz. Izraeli i cili shkeli armëpushimin tha se do të vepronte kundër Hamasit me "forcë ushtarake në rritje".
Hamasi tha se "Izraeli nuk i mbajti premtimet dhe rifilloi gjenocidin ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës duke mos përmbushur përgjegjësitë e tij përpara syve të vendeve që ndërmjetësuan armëpushimin".
Familjet e pengjeve izraelitë akuzuan qeverinë e Netanyahut se "ka hequr dorë nga pengjet" në Rripin e Gazës dhe theksuan se paraqitja e rikthimit të pengjeve nga qeveria si justifikim për rifillimin e luftës është "mashtrim i plotë".
Partitë opozitare në Izrael thanë se sulmet rifilluan nën hijen e hapave të diskutueshëm politikë të kryeministrit Netanyahu, si shkarkimi i drejtorit të agjencisë vendase të inteligjencës Shin-Bet.