Bota

Vriten 5 palestinezë në sulmin izraelit ndaj një makine në Bregun Perëndimor

Të paktën 38 palestinezë janë vrarë në ofensivën e madhe ushtarake izraelite në veri të Bregut Perëndimor që nga 28 gushti

Ahmed Asmar  | 05.09.2024 - Përdıtësım : 05.09.2024
Vriten 5 palestinezë në sulmin izraelit ndaj një makine në Bregun Perëndimor

Ramallah

Ushtria izraelite sot në mëngjes vrau pesë palestinezë në një sulm ajror ndaj një makine pranë qytetit Tubas në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

"Pesë dëshmorë dhe dy të plagosur, përfshirë një në gjendje të rëndë, mbërritën në Spitalin Qeveritar Turk të Tubasit si rezultat i një sulmi të pushtuesit (izraelit) ndaj një makine pranë Tubasit", tha Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë.

Midis pesë të vrarëve është Muhammad Zubeidi, djali i Zakaria Zubeidit, një udhëheqës i shquar në Lëvizjen Fatah, i cili është i burgosur në Izrael që nga viti 2019.

Në shtator të vitit 2021, Zakaria Zubeidi dhe pesë të burgosur të tjerë palestinezë u arratisën me sukses nga burgu i tyre i sigurisë së lartë Gilboa duke gërmuar një tunel nga qelia e tyre deri jashtë burgut. Forcat izraelite, megjithatë, arritën t’i kapin të gjithë pas gati një jave nga largimi i tyre nga burgu.

Më 28 gusht, ushtria izraelite nisi operacionin e saj më të madh ushtarak në veri të Bregut Perëndimor në dy dekada, duke shkaktuar shkatërrime masive në zonë dhe duke vrarë 38 palestinezë deri më tani.

Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar ndërsa Izraeli po i vazhdon sulmet e tij brutale në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 40.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Të paktën 690 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 5.700 janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Përshkallëzimi pasoi një opinion historik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) më 19 korrik, që e shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.