Vritet një fëmijë gjatë sulmit me thikë në një shkollë në Zagreb, arrestohet sulmuesi
Ministrja e Shëndetësisë, Irena Hrstiq, në një prononcim për mediat konfirmoi se një fëmijë shtatë vjeçar ka humbur jetën ndërsa gjashtë persona, mes tyre pesë fëmijë janë lënduar
Sarajevë
Në sulmin me thikë mëngjesin e sotëm në shkollën fillore "Preçko" në kryeqytetin kroat Zagreb, një fëmijë mbeti i vrarë, ndërsa mësuesja dhe pesë nxënës u plagosën, raporton Anadolu.
Ministrja e Shëndetësisë, Irena Hrstiq, në një prononcim për mediat konfirmoi se një fëmijë shtatë vjeçar ka humbur jetën ndërsa gjashtë persona, mes tyre pesë fëmijë janë lënduar.
"Sipas informacioneve që kam nga shërbimet emergjente, gjashtë persona janë lënduar, një fëmijë ka vdekur në terren pas procedurës së reanimacionit", tha Hrstiq.
Mediat raportojnë se mësuesja është shtruar në spital dhe është në rrezik për jetën.
Informacioni se një fëmijë ka vdekur është konfirmuar edhe nga Departamenti i Policisë së Zagrebit.
"Sot, më 20 dhjetor, rreth orës 09:50, shtetasi kroat 19-vjeçar ka plagosur me sende të mprehta një mësuese dhe disa nxënës në një institucion arsimor në zonën e Preçkos. Sulmuesi është nën vëzhgimin e policisë. Të lënduarve po u ofrohet ndihma mjekësore. Si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë një fëmijë", njoftoi policia.
Siç njoftuan më herët mediat kroate, fëmijët janë nxjerrë nga shkolla menjëherë pas incidentit dhe në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e policisë dhe emergjencave. Në këndin e lojërave pranë shkollës është ulur edhe një helikopter i ambulancës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.