Andrew John Roesgen
30 Shtator 2021•Përditësim: 30 Shtator 2021
Një gjykatës i Los Angelesit në SHBA pezulloi të mërkurën babanë e yllit të popit Britney Spears si kujdestar të pasurisë së saj, një vendim i mirëpritur nga fansat e Spears jashtë gjykatës dhe në mbarë botën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjyqtarja Brenda Penny, duke e quajtur situatën aktuale "të papërshtatshme", vendosi që kontabilisti publik i certifikuar, John Zabel, të marrë detyrën e kujdestarit të përkohshëm.
Jamie Spears, duke u përballur me kritika për menaxhimin e tij 13-vjeçar të çështjeve të vajzës së tij, në të vërtetë kishte dashur që kujdestaria të përfundonte përgjithmonë, por gjyqtari thjesht pezulloi rolin e tij. Për atë se si do të vazhdohet me kujdestarinë ose nëse do të përfundohet plotësisht do të përcaktohet në një seancë para fundit të vitit.
Vetë Spears nuk mori pjesë në seancën gjyqësore të diskutueshme, por sipas gazetarëve të lejuar brenda, avokati i saj, Mathew Rosengart, ngriti akuza të furishme ndaj babait të saj, duke e quajtur atë "një njeri mizor, toksik, abuzues". Ai gjithashtu citoi një raport të "New York Times" se Jamie dyshohet se kishte vendosur një pajisje përgjimi në dhomën e saj të gjumit.
"Mësuam se Jamie Spears bëri diçka të pakuptueshme. Ai udhëzoi (një) ekip sigurie, të paguar nga klienti im, që të vendosnin një pajisje përgjimi në dhomën e gjumit të Britney-t", tha Rosengart.
Avokati i Jamie Spears, Vivian Thoreen u përgjigj: "Nuk është provë, është retorikë".
Në qershor, Britney Spears qau gjatë një seance gjyqësore, në të cilën ajo kërkoi t'i jepte fund kujdestarisë së babait të saj. Ajo gjithashtu postoi mesazhe në mediat sociale duke kërkuar që babai i saj dhe të tjerët të përfshirë të përballen me akuza penale për "abuzim me kujdestarinë".
Jamie Spears mori detyrën si kujdestar i çështjeve të vajzës së tij fituese të Grammy, pasi një seri episodesh të shëndetit mendor çuan në frikën për aftësinë e saj për të trajtuar pasurinë e saj, e cila aktualisht vlerësohet midis 100 dhe 200 milionë dollarë.
Por, jo më pak se tre dokumentarë mbi kujdestarinë e saj kanë ngritur dyshime për aranzhimin dhe kanë nxitur një lëvizje "Free Britney" në mesin e fansave të saj. Edhe anëtarët e Kongresit Amerikan, konservatorë dhe liberalë, kanë bërë thirrje për t'i dhënë fund kujdestarisë së saj.
Dhjetëra fansa të Spears para gjykatës së Los Angelesit brohoritën vendimin e së mërkurës.
"Ajo dëshiron që ai të jetë jashtë jetës së saj tani sesa një prani të zgjatur dhe toksike. Britney meriton të zgjohet nesër pa babanë e saj si kujdestari i saj", shtoi Rosengart në gjykatë.