Ekip
15 Nëntor 2019•Përditësim: 18 Nëntor 2019
Grupi terrorist YPG/PKK ka rekrutuar rreth 270 luftëtarë të huaj nga Gjermania të cilët kanë marrë pjesë në betejat dhe sulmet terroriste në Siri dhe Irak, thuhet në një raport të agjencisë gjermane të inteligjencës BfV, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një analizë të publikuar në buletinin tremujor të BfV-së, agjencia pohon se në mesin e 270 luftëtarëve të huaj të YPG/PKK-së që kanë udhëtuar në rajon që nga viti 2013, të paktën 22 janë vrarë në përleshje ose gjatë operacioneve antiterroriste të Turqisë.
Tre shtetas gjermanë, Jakob Riemer, Sarah Handelmann dhe Michael Panser, që ishin të njohur për autoritetet gjermane si ekstremistë të krahut të majtë, ishin në mesin e të vrarëve.
PKK është ndaluar në Gjermani që nga viti 1993, por mbetet aktive me rreth 14.500 ndjekës në këtë vend.
Ankaraja zyrtare gjatë kohë ka kritikuar autoritetet gjermane se nuk ndërmarrin masa serioze kundër PKK-së dhe degës së saj siriane YPG, e cila vazhdon të përdorë Gjermaninë si një platformë për grumbullimin e fondeve, rekrutime dhe për aktivitete propaganduese.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnja.