Bota

Zelenskyy: Qëndrimi i Kievit mbi territoret e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë mbetet i “pandryshuar”

Komentet e presidentit Zelenskyy erdhën pasi presidenti Trump tha se Gadishulli i Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014, “do të mbetet me Rusinë” si pjesë e çfarëdo marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës së vazhdueshme në Ukrainë

Burç Eruygur  | 25.04.2025 - Përdıtësım : 26.04.2025
Zelenskyy: Qëndrimi i Kievit mbi territoret e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë mbetet i “pandryshuar”

Istanbul

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se qëndrimi i Ukrainës mbi territoret e saj që aktualisht janë nën kontrollin rus mbetet i “pandryshuar”, transmeton Anadolu.

“Qëndrimi ynë është i pandryshuar. Vetëm populli ukrainas ka të drejtë të vendosë se cilat territore janë ukrainase”, u tha Zelenskyy gazetarëve në Kiev.

Komentet e presidentit Zelenskyy erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot më herët për revistën Time se Gadishulli i Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014, “do të mbetet me Rusinë” si pjesë e çfarëdo marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës së vazhdueshme në Ukrainë.

Duke riafirmuar se kushtetuta e Ukrainës i përcakton të gjitha territoret e kontrolluara nga Rusia të vendit të tij si “të pushtuara përkohësisht”, Zelenskyy theksoi refuzimin e Kievit për t'i njohur këto territore si ruse.

“Më duket se ky është një qëndrim absolutisht i drejtë. Është i ligjshëm jo vetëm nga pikëpamja e Kushtetutës së Ukrainës, por edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare”, tha Zelenskyy.

Presidenti ukrainas argumentoi se shumë vende, përfshirë ato që po balancojnë marrëdhëniet e tyre midis Moskës dhe Kievit, njohin integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, përfshirë edhe lidhur me Krimenë.

Më tej, ai tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO varet nga mbështetja e vendeve anëtare të aleancës, duke argumentuar se ato duhet të jenë “pragmatike” dhe të kuptojnë se ka garanci të sigurisë që i duhen Ukrainës.

“Ka çështje që u diskutuan në Londër në lidhje me garancitë e sigurisë nga SHBA-ja. Ne me të vërtetë duam që ato të jenë të forta. Ne gjithashtu presim një kontingjent nga kolegët tanë evropianë”, tha ai.

Përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së dje u takuan në Londër me një delegacion ukrainas për një raund tjetër bisedimesh pas një takimi në Paris javën e kaluar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın