Bota

Zelenskyy refuzon bisedimet për pronësinë e mundshme amerikane të termocentralit Zaporizhzhia

Situata rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022, mbetet veçanërisht e tensionuar pasi vazhdojnë shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore midis Moskës dhe Kievit

Burç Eruygur  | 20.03.2025 - Përdıtësım : 20.03.2025
Zelenskyy refuzon bisedimet për pronësinë e mundshme amerikane të termocentralit Zaporizhzhia

Istanbul

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka hedhur poshtë çfarëdo bisede mbi pronësinë e mundshme amerikane të termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, raporton Anadolu.

Dje, siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Zelenskyy gjatë një bisede telefonike diskutuan situatën rreth furnizimit me energji në Ukrainë dhe termocentralet bërthamore të vendit.

Presidenti amerikan raportohet se i tha homologut të tij ukrainas se SHBA-ja mund të jetë e dobishme në drejtimin e termocentraleve dhe se pronësia amerikane do të ishte “mbrojtja më e mirë”.

Në një konferencë të përbashkët për media në Oslo me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, tha se ai dhe Trump diskutuan për restaurimin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia (ZNPP) dhe se Ukraina është e gatshme të diskutojë mbi modernizimin e termocentralit.

“Nëse amerikanët mendojnë se si të gjejnë një rrugëdalje nga kjo situatë, duan ta largojnë atë (ZNPP) nga rusët dhe duan të investojnë dhe ta modernizojnë atë, kjo është një çështje tjetër. Por ne definitivisht nuk e diskutuam çështjen e pronësisë”, tha Zelenskyy.

Duke theksuar se të gjitha termocentralet bërthamore të vendit të tij i përkasin popullit ukrainas, Zelenskyy tha se ata që punojnë në termocentral i kanë marrë pagat nga shteti ukrainas dhe janë ukrainasë.

Më tej, presidenti ukrainas tha se çështja e ZNPP-së është një “çështje e rrezikshme” për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së duhur në stacion, pavarësisht pranisë së personelit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Ai theksoi “gjendjen teknike shumë të rëndë” të stacionit, duke shtuar se nuk ka furnizim normal me ujë për të ftohur reaktorët në termocentral pas shkatërrimit të digës Kakhovka në qershor të vitit 2023.

Ai gjithashtu tha se Trump e pyeti për mendimet e tij për termocentralin gjatë bisedës së tyre telefonike, duke bërë të ditur se, “I thashë se nëse nuk është ukrainas, atëherë nuk do të funksionojë për askënd. Kjo është e paligjshme”.

Situata rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë dhe një nga dhjetë më të mëdhenjtë në botë, mbetet veçanërisht e tensionuar pasi vazhdojnë shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore midis Moskës dhe Kievit, të cilat shpesh kanë akuzuar njëri-tjetrin për sulme përreth objektit.

Që nga 1 shtatori i vitit 2022, personeli i IAEA-së ka qenë i pranishëm në termocentral, i cili ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.