Zjarri i ri në Los Angeles përhapet në një sipërfaqe mbi 4 mijë hektarë
Pas zjarrit që ka mbuluar më shumë se 4 mijë hektarë sipërfaqe, janë lëshuar urdhra evakuimi për më shumë se 30.000 njerëz në rajon
Ankara
ANKARA (AA) - Teksa vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në qytetin e Los Angelesit, në shtetin e Kalifornisë të SHBA-së, një zjarr i ri që u paraqit në orët e natës përreth liqenit Castaic ka përfshirë një sipërfaqe prej më shumë se 4 mijë hektarësh, transmeton Anadolu.
Sipas informacioneve në faqen e internetit të Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni (CAL FIRE), zjarri "Hughes", i cili filloi përreth liqenit Castaic, u përhap shpejt në një zonë të gjerë.
Pas zjarrit që ka mbuluar më shumë se 4 mijë hektarë sipërfaqe, janë lëshuar urdhra evakuimi për më shumë se 30.000 njerëz në rajon, ndërsa janë lëshuar paralajmërime evakuimi për më shumë se 20.000 të tjerë.
Në paralajmërime njoftohet se zjarri ka krijuar rrezik për jetën dhe se disa zona janë mbyllur për qasje nga banorët.
Nga zjarret që filluan më shumë se dy javë më parë në gjashtë zona të veçanta në Los Angeles, bëhet e ditur se deri më sot janë vënë nën kontroll 70 për qind e zjarrit në zonën Palisades dhe 95 për qind zjarrit në Eaton.
Zyrtari i zjarrfikësve, Anthony Marrone, në një deklaratë tha se erërat nuk janë aq të forta sa në fillim kur shpërtheu zjarri, duke shtuar se "situata në të cilën ndodhemi tani është shumë më ndryshe".
- 14 për qind e zjarrit është mundur të vihet nën kontroll
Sipas NBC Los Angeles, zutoritetet e zjarrfikësve kanë thënë se kanë "fituar epërsinë" në luftën me zjarrin Hughes, që po përhapet me shpejtësi dhe i cili ka përfshirë më shumë se 4 mijë hektarë.
Autoritetet njoftuan se avionët për ndërhyrje ndaj zjarrit hodhën ujë në zonë përpara se erërat e forta të ishin efektive.
Kryetarja e Bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, njoftoi në llogarinë e saj në median sociale X se në rajon janë dërguar përforcime për të luftuar zjarrin.
Sipas CAL FIRE, vetëm 14 për qind e zjarrit është mundur të vihet nën kontroll.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në një deklaratë më 19 janar njoftoi se vizita e tij e parë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë do të ishte më 24 janar në Kaliforninë Jugore, e cila është prekur nga zjarret.
- Zjarret në Los Angeles
Të paktën 28 persona kanë humbur jetën deri më sot nga zjarret që filluan në rajonin Pacific Palisades në Los Angeles në mëngjesin e 7 janarit dhe u përhapën shpejt në zonat përreth, veçanërisht në Eaton, Hurst, Sunset dhe Woodley.
Dëmi total dhe humbja ekonomike e shkaktuar nga zjarret, të cilat kanë shndërruar mijëra hektarë në hi, vlerësohen nga 250 deri në 275 miliardë dollarë.