Elmira Ekberova
28 shtator 2022•Përditësim: 29 shtator 2022
Sipas zyrtarëve pro-rusë të rajoneve të shkëputura të Ukrainës, në të ashtuquajturat referendume të mbajtura në katër rajonet ukrainase, respektivisht në Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia dhe Donetsk, banorët kanë votuar në favor të bashkimit me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raporteve paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor të të ashtuquajturës Republika Popullore e Luhanskut (LPR), 98,42 për qind e votuesve në rajonin Luhansk të kontrolluar nga separatistët votuan në favor të bashkimit me Rusinë.
Leonid Pasechnik, kreu i LPR-së së vetëshpallur, sot do t’i drejtohet presidentit rus, Vladimir Putin, me një kërkesë për të shqyrtuar çështjen e bashkimit të LPR-së me Rusinë si një subjekt i federatës.
Ndërkohë, sipas rezultateve paraprake nga i ashtuquajturi komitet zgjedhor i rajonit Kherson, 87,05 për qind e votuesve në këtë rajon të Ukrainës votuan në favor të bashkimit me Rusinë.
Media shtetërore ruse raportoi edhe rezultatet paraprake të rajonit ukrainas Zaporizhzhia, sipas të cilave rreth 93 për qind e votuesve në këtë rajon po ashtu votuan në favor të bashkimit me Rusinë.
Ndërsa sipas zyrtarëve pro-rusë në rajonin Donetsk të shkëputur nga Ukraina, votimi në referendum në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut (DPR) ka përfunduar, me 99,23 për qind të banorëve që zgjodhën për t’u bashkuar me Rusinë
Komuniteti ndërkombëtar ka deklaruar se votimi në rajonet ukrainase të kontrolluara nga Rusia është i paligjshëm dhe nuk do të njihet. Megjithatë, mediat ruse raportuan për pjesëmarrje të lartë në votimet 5-ditore.