Zëvendëskryeministrja kosovare, Rexhepi, takoi në Budapest ministrin hungarez, Boka
Rexhepi theksoi nevojën për largimin e masave të BE-së të cilat tha se "mbeten në fuqi padrejtësisht"
Kosova
Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Qeverinë e Kosovës, Emilija Rexhepi, është pritur në Budapest nga ministri hungarez për Çështje të Bashkimit Evropian, Janos Boka me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, zv.kryeministrja Rexhepi nënvizoi të arriturat e qeverisë së Kosovës në zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat sociale dhe në ekonomi, si dhe konfirmoi angazhimin e plotë të qeverisë për gjithëpërfshirje dhe përkrahje të të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike.
Rexhepi theksoi nevojën për largimin e masave të BE-së të cilat tha se "mbeten në fuqi padrejtësisht", derisa nënvizoi edhe rëndësinë e përkrahjes së Kosovës në avancimin në rrugëtimin e procesit drejt integrimit në BE përmes marrjes së statusit të vendit kandidat.
Tutje, zv.kryeministrja Rexhepi e falënderoi ministrin Boka për kontributin e Hungarisë ndër vite si dhe mbështetjen e saj edhe për ofrimin e bursave për studentët nga Republika e Kosovës pa dallim në kuadër të platformës "Hungaricum Stipendium".
Zv.kryeministrja Rexhepi po qëndron në një vizitë zyrtare në Hungari ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e nivelit të lartë për çështje të politikave sociale dhe demografisë që mbahet në kuadër të presidencës hungareze të BE-së e që do të zhvillohet në Budapest.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.