Emre Aytekin
17 dhjetor 2019•Përditësim: 18 dhjetor 2019
Prodhuesi amerikan i avionëve Boeing duke filluar nga viti i ri ka vendosur të ndalojë përkohësisht prodhimin e avionëve të pasagjerëve të serisë 737 Max të cilët janë përfshirë në aksidente ku kanë humbur jetën 346 persona për shkak të gabimit në prodhim në sistemin e kontrollit të fluturimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Për avionët të cilët e kanë të ndaluar fluturimin në shumë vende përfshirë edhe SHBA-të, duke filluar nga janari i vitit 2020 do të ndalohet prodhimi i Boeing në fabrikën Renton në Washington të SHBA-së deri në rimarrjen e miratimit nga organet rregullatore", thuhet në deklaratën e kompanisë.
Ndërkohë lidhur me 12 mijë punonjësit që punojnë në fabrikë thuhet se "për momentin nuk mendohet largimi i tyre nga puna".
Kriza e Boeing 737 Max 8
Boeing vitin e kaluar u vendos në objektiv për shkak të aksidenteve që shkaktuan gabimet në prodhim në sistemin e kontrollit të fluturimit të avionëve "737 Max 8".
Avioni i tipit Boeing 737 Max 8 i kompanisë ajrore Lion të Indonezisë u rrëzua në det më 29 tetor 2018 pak kohë pasi ishte ngritur në fluturim për të udhëtuar nga Xhakarta drejt qytetit Pangkal Pinang në ishullin Sumatra. Si pasojë e aksidentit i cili u shënua si aksidenti i parë i këtij lloji të avionit humbën jetën 189 persona.
Më 10 mars avioni Boeing 737 Max 8, i "Ethiopian Airlines" u rrëzua pak kohë pasi ishte ngritur në fluturim për të udhëtuar nga Addis Ababa drejt kryeqytetit të Kenias, Nairobi ku si pasojë humbën jetën 157 persona.
Pas këtij aksidenti shumë vende, përfshirë Turqinë, Kinën, Etiopinë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Holandën, Austrinë ndaluan përkohësisht operacionet për avionët e tipit "Boeing 737 Max" dhe mbyllën hapësirat ajrore ndaj këtyre fluturimeve.