Ahmet Gürhan Kartal
10 Mars 2022•Përditësim: 10 Mars 2022
Qeveria britanike njoftoi sot ngrirjen e plotë të aseteve dhe ndalimin e udhëtimit për 7 oligarkë rusë, përfshirë pronarin e klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich, ndërsa lufta e Moskës kundër Ukrainës vazhdon, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Sekretarja e Jashtme, Liz Truss njoftoi sot ngrirjen e plotë të aseteve dhe ndalimin e udhëtimit për 7 oligarkët rusë më të pasur dhe më me ndikim, perandoritë e biznesit, pasuria dhe lidhjet e të cilëve janë të lidhura ngushtë me Kremlinin", thuhet në deklaratë.
Oligarkët, pasuria totale e të cilëve kap vlerën e rreth 15 miliardë funta (19.7 miliardë dollarë), thuhet se janë sanksionuar si pjesë e përpjekjeve të Britanisë së Madhe për të izoluar presidentin rus, Vladimir Putin.
"Atyre u ndalohet të udhëtojnë në këtë vend dhe asnjë qytetar apo kompani e Mbretërisë së Bashkuar nuk lejohet të bëjë biznes me ta", thuhet më tej.
“Personat e sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar këtë herë përfshijnë Roman Abramovich, pronarin e klubit të futbollit Chelsea, asetet e të cilit kapin vlerën e më shumë se 9 miliardë funta, industrialistin kryesor Oleg Deripaska, asetet e të cilit kapin vlerën e 2 miliardë funta dhe drejtorin e përgjithshëm të Rosneft, Igor Sechin", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu edhe një grup tjetër oligarkësh rusë të afërt me Putinin është sanksionuar, thuhet në deklaratë.
Mes të sanksionuarve janë Andrei Kostin, president i VTB Bank, Alexei Miller, drejtor i përgjithshëm i Gazprom, Nikolai Tokarev, president i kompanisë shtetërore ruse të gazit Transneft dhe Dmitry Lebedev, kryetar i bordit të Rossiya.
“Nuk mund të ketë strehë të sigurt për ata që mbështetën sulmin e ashpër të Putinit në Ukrainë”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson duke shtuar:
"Sanksionet e sotme janë hapi i fundit në mbështetjen e palëkundur të Britanisë për popullin ukrainas. Do të jemi të pamëshirshëm në persekutimin e atyre që lejojnë vrasjen e civilëve, shkatërrimin e spitaleve dhe pushtimin e paligjshëm të aleatëve sovranë".
“Sanksionet e sotme tregojnë edhe një herë se oligarkët nuk kanë vend në ekonominë apo shoqërinë tonë”, tha sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.
Britania e Madhe ka sanksionuar deri më tani më shumë se 200 individë, subjekte dhe filialet më të rëndësishëm dhe të pasur të Rusisë që nga pushtimi rus ndërsa më shumë se 500 prej tyre tani janë përfshirë në listën britanike të sanksioneve.