Gülşen Çağatay
09 Maj 2018•Përditësim: 09 Maj 2018
ANKARA (AA) - Braktisja që SHBA-të ia bënë marrëveshjes bërthamore me Iranin, ka rezultuar me rritje të çmimit të naftës së papërpunuar, ku si pasojë marka ndërkombëtare Brent sot tregëtohet me 77.18 dollarë për fuçi ndërkohë që nafta e papërpunuar amerikane West Texas Intermediate (WTI) tregëtohet me 71.17 dollarë për fuçi, raporton Anadolu Agency (AA).
Nafta Brent të hënën e kaluar u ndal tek çmimi prej 75 dollarë për fuçi por me një pasiguri të theksuar nga epilogu i pohimeve se SHBA-të do të braktisin marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Marrëveshja në fjalë e nënshkruar në vitin 2015, mes Iranit, SHBA-ve dhe fuqive tjera botërore, bëri të mundur heqjen e disa sanksioneve ekonomike ndaj Iranit, në këmbim që Teherani zyrtar të ndalë programin e tij bërthamor.
Të martën vonë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se vendi i tij do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe do të rizbatojë në mënyrën më të fortë të mundshme sanksionet ekonomike të pezulluara në vitin 2015.
“Do të zbatojmë nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike", tha Trump në deklaratën e tij të mbrëmshme.
Ai kërcënoi edhe shtetet të cilat do t'i ndihmojnë Iranit në rrugën e armatimit bërthamor.