Fillon Forumi Ekonomik Botëror në Davos
Në samitin që këtë vit organizohet me temën "Bashkëpunim për epokën inteligjente", pas ceremonisë së mbrëmshme të hapjes, sot mbahen sesionet e para
Davos
Takimi i 55-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) ka filluar në Davos të Zvicrës, raporton Anadolu.
Në samitin që këtë vit organizohet me temën "Bashkëpunim për epokën inteligjente", pas ceremonisë së mbrëmshme të hapjes, sot mbahen sesionet e para.
Në seancat e sotme do të bëhen vlerësimet e para për mandatin e ri presidencial në SHBA dhe do të diskutohen tema si automjetet elektrike, tranzicioni i energjisë së pastër, tregtia, gjeopolitika e energjisë dhe rritja ekonomike globale.
Pas fjalimit hapës të themeluesit dhe kryetarit ekzekutiv të WEF, Klaus Schwab, në aktivitet do të mbajnë nga një fjalim Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, zëvendëskryeministri i parë i Kinës, Ding Xuexiang, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy si dhe presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.
Gjatë ditës në Davos pritet edhe fjalimi i presidentit izraelit Isaac Herzog.
Në kuadër të samitit do të mbahet edhe një sesion i titulluar "Brifing mbi situatën humanitare në Gaza".
- Lidhur me Samitin Davos
Në samitin e sivjetshëm pritet pjesëmarrja e 3 mijë personave si biznesmenë, politikanë, akademikë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga më shumë se 130 vende, përfshirë dhe nga Ballkani, ndërsa 60 krerë të shteteve dhe qeverive do të mbajnë fjalime.
Në këtë periudhë kur ekonomia globale po përjeton një ndryshim paradigme, në samit do të diskutohet se si të rivendoset rritja, si të përfitohet nga teknologjitë e reja dhe mënyrat për të forcuar qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike në 220 sesione të ndryshme.
Në sesione, folësit do të ndajnë vlerësimet e tyre mbi politikat e reja të SHBA-së, fragmentimin që është shfaqur si rezultat i dobësimit gradual të bashkëpunimit global, politikat tregtare, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi, transformimi i energjisë së pastër, lufta kundër ndryshimeve klimatike, politikat monetare të bankave qendrore, normat e interesit dhe inflacioni.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.